
Telashet me furnizim me libra, sfidat që po përcillen nga subvencionimi i teksteve shkollore
Kanë kaluar më shumë së një muaj që nga fillimi i vitit të ri shkollor.
Por një numër i prindërve ende nuk i kanë marrë mjetet për blerjen e teksteve shkollore.
Ani pse sipas drejtorit të shkollës “Selman Riza” në Fushë Kosovë, aplikimet janë konfirmuar nga koordinatori i shkollës.
“Kemi pas raste që janë konfirmuar nga koordinatori dhe mjetet nuk janë marrë, po flas deri në javën e kaluar ku disa prind kanë ardh, kanë hulumtuar rastet se pse nuk është bërë pagesa, e kemi kontrolluar zinxhirin … koordinatori tregon që aplikimi është konfirmuar por mjetet nuk janë dalë”, është shprehur drejtori, Esad Simnica.
Mirëpo sipas koordinatorit të kësaj shkolle, ka edhe nxënës që kanë aplikuar për të përfituar subvencione nga Ministria e Arsimit, ndonëse nuk janë pjesë e shkollës.
“Një numër të madh ende nuk i kemi konfimu pasi nuk kemi informata për ata, pra ata nuk figurojnë në listën e nxënësve të shkollës tonë. Pasi nuk i kemi në lista i kemi në pikëkpyetje, dhe do të mbesin ashtu as të pakonfirmuar dhe as të refuzuar”, ka thënë koordinatori, Ruzhdi Krasniqi.
E këtë të martë, MASHTI ka bërë të ditur se koordinatorët kanë kohë deri të premten të verifikojnë aplikimet.
“Koordinatorët që ende nuk kanë përfunduar verifikimin e aplikimeve të tyre ftohen që ta bëjnë këtë brenda afatit të përcaktuar, në mënyrë që të mundësohet përmbyllja e procesit në kohë. Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare, janë edhe 2,789 aplikime në pritje që duhet të shqyrtohen nga koordinatorët shkollorë”, thuhet në reagimin e MASHTI.
Sipas koordinatorit të shkollës “Selman Riza”, procesi i subvencionimit të teksteve shkollore këtë vit është përcjellur me telashe për disa arsye.
“Afati mund të shtyhet sa të dojnë por sistemi ka qenë shumë i gabueshëm dhe mendoj që ka mungu shumë njoftimi i prindërve sepse në shkollë ka shumë të komuniteteve edhe nuk është që i lexojnë shumë lajmet dhe kishim shumë vështirësi për të aplikuar dhe ka prej tyre që i kanë marrë të hollat por fëmijët nuk i kanë librat”, është shprehur tutje Krasniqi.
MASHTI gjithashtu ka bërë të ditur se që nga hapja e platformës më 15 gusht 2025 e deri në mbyllje më 3 tetor 2025, janë pranuar gjithsej 204,283 aplikime, prej të cilave 201,494 janë trajtuar, 196,057 janë aprovuar dhe 5,437 janë refuzuar./teve1