
APK-ja për emërimin në “Termokos”: Rrezik për konflikt interesi
Emërimi i Kastriot Bllacës nga pozita e auditorit të brendshëm në “Termokos” në atë të Ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, ka nxitur debat publik mbi mundësinë e një konflikti interesi, për shkak të natyrës së ndjeshme të funksionit të auditimit dhe kalimit të menjëhershëm në rol menaxherial.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, nuk e konsideron këtë lëvizje automatikisht si shkelje të ligjit, por paralajmëron rreziqe të mundshme që lidhen me paanshmërinë në vendimmarrje, keqpërdorimin e informacionit të brendshëm për përfitime private dhe cenimin e integritetit institucional.Në thelb, siç sqaron Agjencia, ligji nuk e ndalon kalimin, por kërkon kujdes të lartë institucional.
Në rastin konkret, Agjencia thekson se institucioni ka për obligim të ndërpresë çdo kompetencë të mëparshme të lidhur me auditimin, sapo zyrtari kalon në një funksion menaxherial.Sipas tyre, përgjegjësia për menaxhimin e kësaj situate bie mbi vetë ndërmarrjen publike dhe organet e saj drejtuese, të cilat duhet të veprojnë në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, Kodin e Qeverisjes Korporative dhe rregullat e auditimit të brendshëm.
Nga ana tjetër, bazuar në përgjigjen zyrtare të vetë “Termokos”-it, thuhet se Bllaca ka qenë zyrtar i auditimit, por me marrjen e detyrës si UD, i janë pushuar të gjitha autorizimet që burojnë nga kjo pozitë.
Po ashtu, sipas “Termokos”-it, Bllaca nuk ka qenë dhe nuk është kreu i Zyrës së Auditimit, prandaj nuk ka vartës të tij në këtë zyrë dhe nuk ekziston rrezik ndërhyrjeje nga pozita e Kryeshefit në auditim.
Përndryshe, APK konfirmoi se nuk ka qenë në dijeni për këtë rast, por shton se nëse merr një kërkesë për vlerësim të papajtueshmërisë ose konflikt interesi, do të veprojë sipas mandatit ligjor. /Klankosova