
“Sa herë që bie shi, ne nuk kemi rrymë” – banorët e Keçekollës në hall, tash e 5 ditë pa energji elektrike
Me këtë gjenerator, tash e pesë ditë po e siguron energjinë elektrike.
Është ky Avdi Aliu, banor i fshatit Keçekollë të Prishtinës që po përballet me mungesë të rrymës.
Këtë problem, ai thotë se e kanë shumica e fshatrave të Gollakut tash e ca vite.
“Me dhjetëra fshatra të Gollakut janë pa energji elektrike. Kjo po shkakton problem tek banorët, te rezervat që i kanë njerëzit po u shkrihen gjërat ushqimore që i kanë në frizë. Kështu që është një dëm shumë i madh që po ju shkaktohet banorëve”, është shprehur një banorë.
Aliu tregon edhe për kërkesën që i kanë bërë KEDS-it.
“Përkundër përpjekjeve që po bën KEDS për të evituar problemin, ende sot jemi pa energji elektrike. Ne si banorë kemi bërë kërkesë që traseja të zhvendoset për gjatë rrugës magjistrale, por përgjigja nga KEDS-i ka qenë së nuk po u japin leje nga Ministria e Infrastrukturës. Nëse trase vendoset për gjatë rrugës edhe mirëmbajtja do jetë më e mirë, nuk do të ketë probleme se këtu nëpër pyje edhe drunë janë të mëdhenj në një borë si këtë herë që ra, kur ende gjethet nuk kanë ra, të gjithë drunjtë kanë rë mbi linjën e energjisë elektrike dhe kanë shkaktuar shumë probleme”, ka thënë tutje banori.
Në hall me mungesën e energjisë elektrike është edhe pronari i një biznesi.
“Sot është dita e pestë ne nuk kemi energji, kur nuk ke energji nuk kemi edhe ujë. Ne i kemi puset ato duhet që edhe ujin me marr prej energjisë, kështu që ne jemi dëmtuar edhe si biznes edhe fshatarët të gjithë janë të dëmtuar domethënë mos te kesh ujë dhe rrymë pesë ditë e që gjërat elementare të jetesës janë këto. Ne nuk mundemi me funksionuar kështu në këtë mënyrë pa energji, nuk është hera e parë që ndodh kjo, kjo ndodh shumë shpesh”, ka thënë banori tjetër.
Hoxha ka edhe një apel.
“Kishim bërë apel me ndërmarrë diçka që mos të kemi problem se mundemi me kaluar një herë këtë problem për katër apo pesë ditë ndoshta edhe një javë, por të kesh çdo herë, sa herë që bien shi ne nuk kemi rrymë, sa herë që bënë frymë, borë çka do që të ketë ne jemi pa rrymë”, ka theksuar tutje banori.
Televizioni ka dërguar pyetje edhe në Kompaninë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS), por nga të njëjtit nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e kronikës./Teve1