
26 milionë euro për studentë, Krasniqi: Përpjekje e hapur për blerje vote
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të qeverisë në detyrë të Kosovës rreth ndarjes së 26 milionë eurove për studentë, shkruan Zeri.info.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Krasniqi, ka thënë se, kryeministri në detyrë, Albin Kurti “duket se po e përjeton panikun nga humbja e madhe që e pret të dielën”.
“Pas katër vitesh dështimesh në qeverisje dhe degradimi të sistemit arsimor, ai sot vendosi të ndajë 26 milionë euro, nga 100 euro për student, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve. Kjo nuk është mbështetje e sinqertë për studentët, por përpjekje e hapur për blerje vote”, ka shkruar ndër të tjerash Krasniqi.
Reagimi i plotë i Krasniqit, pa ndërhyrje:
Kryeministri në largim, i cili tashmë ka humbur çdo legjitimitet, duket se po e përjeton panikun nga humbja e madhe që e pret të dielën.
Pas katër vitesh dështimesh në qeverisje dhe degradimi të sistemit arsimor, ai sot vendosi të ndajë 26 milionë euro, nga 100 euro për student, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve. Kjo nuk është mbështetje e sinqertë për studentët, por përpjekje e hapur për blerje vote.
Megjithatë, ky është një tjetër gjykim i gabuar për studentët kosovarë, sepse ata as nuk blihen e as nuk shiten.
Unë i ftoj studentët që t’i marrin ato mjete, që janë nga taksat e familjeve të tyre, por të dielën ta përdorin votën e tyre për ta ndëshkuar një kryeministër që ka rrezikuar të ardhmen e tyre dhe të shtetit. /Zëri