
Lehtësohet mundësia për suspendimin e liberalizimit të vizave në BE
Parlamenti Evropian ka votuar në favor të ndryshimeve në Mekanizmin e Suspendimit të Regjimit të Vizave, duke i dhënë Bashkimit Evropian kompetenca të reja për të pezulluar udhëtimin pa viza kur siguria e Evropës është në rrezik.
Për herë të parë, në mekanizmin e suspendimit janë përfshirë kërcënimet hibride, pasaportat e arta, migracioni i parregullt dhe rreziqet e sigurisë.
Parlamenti Evropian konsideron se Evropa duhet të mbrojë integritetin e zonës Shengen dhe të veprojë shpejt për t’u kundërvënë kërcënimeve hibride, manipulimit të migracionit të sponsorizuar nga shtetet dhe regjimeve që shfrytëzojnë dyert e hapura të kontinentit.
Sipas rregullave të reja, BE-ja do ta ketë më të lehtë të pezullojë udhëtimin pa viza për shtetasit e vendeve që nuk respektojnë të drejtat e njeriut, nuk përshtaten me politikën e vizave, ose nga të cilat ka keqpërdorim të mundësisë për udhëtim pa viza.
Lëvizja pa viza mund të suspendohet më lehtë edhe për përfaqësues të qeverive të vendeve që konsiderohen pjesëmarrës në shkelje të të drejtave të njeriut, shkelje të ligjeve ndërkombëtare ose të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare.
Sipas rregullave të përditësuara, shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk janë në rrezik, por tërhiqet vërejtja se keqpërdorimi i lirisë së lëvizjes mund të çojë deri te suspendimi i regjimit të vizave.
Nga vendet e rajonit kërkohet, në veçanti, që të përshtatin politikën e vizave me atë të BE-së. Kjo nënkupton vendosjen e një regjimi vizash për çdo shtet të tretë që ka të njëjtin regjim me Bashkimin Evropian, në mënyrë që vendet e rajonit të mos shndërrohen në transit për imigrim ilegal drejt vendeve të BE-së. /rtk