
Osmani pasi mori çmimin nga UP-ja: Një komb që nderon dijen, s’ka arsye të frikësohet nga e ardhmja
Universiteti i Prishtinës ka nderuar me çmimin “Alumni Nderi i UP-së” Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriun dhe Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, tha se Universiteti i Prishtinës ka qenë shtëpi e shumë njerëzve të kryengritur idealist që kanë arritur të kontribuojnë për zhvillimin e këtij vendi.
“Ju të diplomuarit e UP-së në përpjekjet tuaja të përditshme të një shteti të së drejtës dhe një Kosove më të zhvilluar dhe më të fortë, e bëni fort krenare edhe shtëpinë tonë të përbashkët UP. Me këtë rast kam nderin e veçantë që në emër të UP-së, respektivisht Shoqatës së të diplomuarve të UP-së, t’ju dorëzoj çmimin ‘Alumni Nderi i UP-së’”, tha ai.
Presidentja Osmani tha se investimi në dije është investimi më fisnik që mund të bëjë një shtet.

“Të rikthehesh këtu në UP jo më si studente ose ligjëruese, por për të pranuar një nder nga ky tempull i dijes që të rriti, është një emocion i vërtetë. Këto dy fate, ai i studentes dhe ligjëruese, janë rrugë që më kanë frymëzuar si njeri, profesioniste dhe si presidente. Investimi në dije është investimi më fisnik që mund të bëjë një shtet, e njëkohësisht është edhe investimi më i mençur. Çmimi është një nder i jashtëzakonshëm, është një falënderim për të gjithë profesorët e mi, që na mundësuan që të mos dorëzohemi”, tha ajo.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, teksa mori çmimin, tha se Qeveria do t’u përgjigjet gjitha kërkesave që vijnë nga Universiteti.

“E shoh veten si njeri i afërt dhe i lidhur me të shkuarën dhe të ardhmen e këtij universiteti. Që nga themelimi i universitetit, nuk ka ngjarje që Kosova ta ketë zanafillën në përmbajtjen e vet emrit të studentit. Universiteti u themelua që të ketë kornizë profesionale dhe bartës të guximit. Ai shërbeu si mënyra më e lartë ndaj protestës dhe okupimit dhe duke treguar se kur dija bëhet ndërgjegje, është gjithmonë akt lirie. UP-ja është një ndër ngjarjet më të mëdha të historisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës do t’u përgjigjet të gjitha kërkesave që vijnë nga universiteti. Pranimi i këtij çmimi është një përgjegjësi e madhe”, tha ai. /EO
