
Çitaku: PDK-ja s’do ta votojë Simiqin për nënkryetar të Kuvendit
Nënkryetarja e Kuvendit nga PDK-ja, Vlora Çitaku, ka akuzuar LVV-në për shkelje kushtetuese sa u përket procedurave për konstituimin e Kuvendit.
Sipas saj, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë tavolinë suedeze që të zgjidhen vetëm ato pika që i konvenojnë LVV-në se dhe të tjerat të mos zbatohen.
“PDK-ja është në pritje të vendimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe vendimet tona politike do t’i marrim në përputhshmëri me rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë tavolinë suedeze ku ne i marrim dhe i zbatojmë vetëm ato që na pëlqejnë apo na shkojnë për shtati politikisht e i hedhim në kosh të plehrave ato që nuk na u përshtaten apo nuk na pëlqejnë politikisht. Dua të rikujtojë që kjo kastë udhëheqësish në mënyrë serike e ka shkelur kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe PDK-ja ka vlerësuar që me ndarjen e votimit për nënkryetarët që vijnë nga komunitetet jo shumicë është bërë shkelje e Rregullores së Punës së Kuvendit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës’’, tha ajo.
Nënkryetarja Çitaku ka bërë të ditur se partitë parlamentare duhet të ulen dhe të diskutojnë për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet pakicë.
Sipas saj, kjo duhet të bëhet përmes një konsensusi.
Por ka bërë të ditur se PDK-ja nuk ka votë për deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq, i cili dyshohet për përfshirje në sulmin në Banjskë.
“Nuk bëhet fjalë këtu për preferenca personale se a na pëlqen zoti Rashiq apo dikush tjetër, është komuniteti serb që jeton në Kosovë ai që i zgjedh përfaqësuesit e vet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në përpjekje për të polarizuar situatën LVV-ja i ka dhënë nënkryetarit të Kuvendit një relevancë që në fakt nuk e ka. Unë jam vet nënkryetare e Kuvendit, dhe krejt çfarë bëjë unë është që e përfaqësoj PDK-në në Kryesi të Kuvendit dhe më shumë është një postë honorifik sesa që ka ndonjë peshë apo relevancë brenda Kuvendit. Kemi një Kushtetutë, kemi një rregullore pune që e ka miratuar kjo shumicë parlamentare. Rregullat, ligjet dhe kushtetuta e Kosovës duhet të respektohen, pastaj sigurisht që PDK-ja e ka bërë të qartë se për zotin Simiq nuk ka votë sepse siç është bërë e ditur edhe nga organet e rendit është publikuar edhe në media se ai ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në sulmin në Banjskë. Por, mendoj se ne si subjekte politike parlamentare duhet të ulemi dhe të diskutojmë dhe duhet të arrijmë një konsensus”, tha ajo për rtv21.