Platforma për verifikimin për tekstet shkollore, e hapur deri më 10 tetor
Foto: Laura Hasani

Platforma për verifikimin për tekstet shkollore, e hapur deri më 10 tetor

Aktuale October 07, 2025 - 12:17

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar se platforma në e-Kosova për verifikimin e aplikimeve për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore do të jetë e hapur deri të premten, më 10 tetor 2025, në orën 23:59.

Sipas MASHTI-t, të gjithë koordinatorët e shkollave që ende nuk e kanë përfunduar procesin e verifikimit ftohen ta bëjnë këtë brenda afatit të përcaktuar, në mënyrë që të mundësohet përmbyllja e procesit në kohë. Aktualisht, janë 2.789 aplikime që presin të shqyrtohen nga koordinatorët shkollorë.

Nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) bëhet e ditur se që nga hapja e platformës më 15 gusht e deri në mbylljen e afatit më 3 tetor 2025 janë pranuar gjithsej 204.283 aplikime. Prej tyre, 201.494 janë trajtuar, 196.057 janë aprovuar dhe 5.437 janë refuzuar.