Të gjithë në pritje të Kushtetueses
Foto: Laura Hasani

Të gjithë në pritje të Kushtetueses

Aktuale October 07, 2025 - 09:12

Një javë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, subjektet politike nuk kanë dhënë shenja se do të japin votë për ndonjë kandidat të Listës Serbe për zgjedhjen e kryetarit të 5-të, duke thënë se janë duke e pritur vendimin e plotë. Gjykata Kushtetuese nuk e bëri të ditur se kur do ta publikojë vendimin e plotë.

Hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, thotë se është e rëndësishme që Kushtetuesja ka konstatuar moskonstituimin e Kuvendit, ndërsa, siç thotë, publikimi i plotë i aktgjykimit do ta qartësojë edhe më shumë rrugën se si të ecet përpara.

“Aktgjykimi i plotë do të tregojë nëse do të kthehet votimi për nënkryetarët në pako ose se si do të veprohet…”, tha Bugaqku.

Në fund të muajit gusht Kuvendi i Kosovës, pas një numri rekord dështimesh, arriti ta zgjedhë Dimal Bashën si kryetar të Kuvendit dhe pas kësaj u votuan edhe 3 nënkryetarë të tjerë, duke përfshirë Emilia Rexhepin, nga komunitetet joshumicë, joserbe. Por Kuvendi hyri në ngërç politik sërish te zgjedhja e nënkryetarit të 5-të, i cili i takon komunitetit serb. Në këtë kuptim, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, vlerëson se vendimi i Gjykatës ka konstatuar se nënkryetari i 4-t i Kuvendit, në këtë rast Emilia Rexhepi, është e zgjedhur dhe se deputetët nevojitet ta zgjedhin, edhe nënkryetarin e 5-të, i cili duhet të propozohet nga Lista Serbe.

“Emilia Rexhepi u kry, atë e ka konstatu Gjykata ka mbetur te propozimi i Listës Serbe…”, tha Shala për rtv21.

Edhe pse subjektet politike deri më tani nuk kanë dhënë ndonjë sinjal për ose kundër nënkryetarit të Listës Serbe, ditë më parë kryeministri në detyrë Kurti tha se nënkryetari i 5-të i Kuvendit duhet të jetë Nenad Rashiq.

Ekspertët ligjor vlerësojnë se një gjë e tillë është pamundësuar me një rregullore të miratuar përgjatë qeverisë “Kurti 2”, ku i dhanë të drejtë ekskluzive grupit më të madh parlamentar nga minoritetet që të propozojë nënkryetarin. Ndërkohë, kanë mendime të ndryshme lidhur me telashet që mund të shkaktojë Lista Serbe, nëse Gjykata konstaton se votimi ndaras për nënkryetarët është në përputhje me Kushtetutën.

“Unë mendoj që duhet të kthehet votimi në pako, sepse në rastin tjetër, ia mundëson Listës Serbe ta propozojë Simiqin, nuk merr vota, pastaj e lëshon sallën e Kuvendit dhe kësisoj shkaktohet bllokadë e re”, tha Bugaqku.

“Simiqi duhet të votohet, sepse kështu ia ka mundësu rregullorja që e kanë miratu vetë. Dhe jo nuk i jep fuqi, sepse pastaj nëse refuzon të merret e drejta e propozimit…”, tha Shala.

Njohës të çështjeve ligjore theksuan nevojën që Gjykata Kushtetuese të tregojë edhe për pasojat që bien mbi deputetet e Kuvendit për moskonstituimin e Kuvendit, meqë, sipas tyre, subjektet politike deri më tani nuk kanë dhënë ndonjë sinjal se kanë gjetur një gjuhë të përbashkët për të dalë nga ngërçi i krijuar.