
Edhe Belgjika synon të dërgojë të dënuar në Kosovë, dy ministre belge mbërrijnë në Prishtinë
Kosova po kthehet në një vend të përshtatshëm që të dënuarit e vendeve të Evropës të vijnë për vuajtjen e dënimeve.
Pas Danimarkës, tash po duket se edhe Belgjika ka një plan të njëjtë.
Dy ministre belge, ajo e Drejtësisë Annelies Verlinden dhe ajo e Azilit dhe Migracionit Anneleen Van Bossuyt, nisën të hënën një mision diplomatik treditor në Shqipëri dhe Kosovë. Vizita përqendrohet në trajtimin e mbipopullimit kronik të burgjeve belge dhe në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar.
Për të lehtësuar situatën e rënduar në sistemin penitenciar, qeveria belge po shqyrton mundësinë e ndërtimit ose marrjes me qira të një burgu jashtë vendit për personat e dënuar që nuk janë rezidentë belgë. Gjatë vizitës, ministrat do të zhvillojnë bisedime paraprake mbi mundësinë e realizimit të këtij projekti në Shqipëri ose Kosovë, raportoi agjencia kombëtare e lajmeve belge “Belga News Agency”.
Një tjetër çështje që do të ngrihet gjatë takimeve në Tiranë është kthimi i shtetasve shqiptarë që ndodhen aktualisht në burgjet belge. Sipas të dhënave zyrtare, 307 shqiptarë janë të burgosur në Belgjikë, nga të cilët 253 nuk kanë të drejtë qëndrimi në vend.
“Nëse ata që janë dënuar këtu dhe nuk kanë të drejtë qëndrimi në Belgjikë mund ta vuajnë dënimin në vendin e tyre të origjinës, kjo nënkupton që dënimi zbatohet siç duhet, ndërsa njëkohësisht lehtësohet presioni mbi sistemin tonë të burgjeve,” deklaroi Verlinden.
Lufta kundër krimit të organizuar
Misioni përfshin edhe diskutime për një letër qëllimi mbi ndarjen e aseteve kriminale, e cila do të mundësonte që një pjesë e të ardhurave të sekuestruara në Shqipëri apo Kosovë, në kuadër të hetimeve të udhëhequra nga Belgjika, të transferohej në arkën e shtetit belg.
Në Prishtinë delegacioni do të diskutojë gjithashtu për një traktat bilateral mbi ndihmën e ndërsjellë juridike, me synim forcimin e bashkëpunimit afatgjatë gjyqësor.
Verlindeni vlerësoi bashkëpunimin me të dy vendet, duke theksuar rolin gjithnjë e më të madh të rajonit në hetimet belge. Kosova po shfaqet gjithnjë e më shumë në dosjet penale belge si një qendër për pastrimin e parave, trafikimin e qenieve njerëzore dhe kontrabandën e armëve, tha ajo. Ndërkohë, Shqipëria mbetet një partnere kyçe në luftën kundër trafikut të drogës, me rrjete kriminale shqiptare aktive në portin e Antverpit.
“Ballkani Perëndimor është tashmë një rajon kyç në luftën tonë kundër krimit të organizuar. Dua të ndërtoj mbi besimin e ndërsjellë që është forcuar përmes bashkëpunimit të ngushtë gjatë viteve të fundit,” përfundoi Verlinden.
Marrëveshja me Danimarkën
Kosova tashmë ka nënshkruar marrëveshjen me Danimarkën për shfrytëzimin e burgut në Gjilan, ku në Kosovë do të vijnë rreth 300 të dënuar.
Ky transferim është pjesë e një marrëveshjeje dhjetëvjeçare mes Kosovës dhe Danimarkës, e cila parasheh shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez.
Në këmbim, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro.
Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen më 23 maj 2024, dy vjet pasi ajo ishte nënshkruar.
Kosova do të vërë në dispozicion kapacitete për 300 të burgosur për një periudhë 10-vjeçare.
Qelitë do të jenë individuale ose të përbashkëta (maksimumi 2 persona), jo më pak se gjashtë metra katrorë për qelitë individuale dhe jo më pak se tetë metra katrorë për qelitë e përbashkëta.
Gjuha e punës në burg do të jetë gjuha angleze, ndërsa dokumentet zyrtare, sipas nevojës, mund të përkthehen edhe në gjuhën daneze.
Nga 200 milionë euro që pritet të përfitojë Kosova, një pjesë do të investohet në Shërbimin Korrektues, ndërsa pjesa tjetër në energji të ripërtërishme.
Sipas marrëveshjes, Danimarka ka premtuar një tarifë fillestare prej pesë milionë eurosh për të mbuluar periudhën e tranzicionit, që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes deri në funksionalizimin e plotë të burgut.
Pas kësaj, pagesat do të bëhen në baza tremujore, në varësi të numrit të të burgosurve të pranishëm në institucion.