400 vende pune e shantazhim të qytetarëve serbë, skenari i Vuçiqit për ndërhyrje në zgjedhjet e 12 tetorit
Foto: Laura Hasani

400 vende pune e shantazhim të qytetarëve serbë, skenari i Vuçiqit për ndërhyrje në zgjedhjet e 12 tetorit

Aktuale October 07, 2025 - 08:07

Tashmë është i njohur skenari serb për të manipuluar e edhe kërcënuar qytetarët serbë në Kosovë, duke premtuar vende pune.

Kriminologu Armend Halimi tha se deklarata e presidentit Aleksandar Vuçiq se do të hapim 400 vende pune është dëshmia e qartë që Vuçiqi, përmes Listës Serbe, ndikon te grupet e tij në veri.

“Kjo është vetëm një argument shtesë se Vuçiqi asnjëherë nuk ka qenë i shkëputur në hallkën e ndikimit Vuçiq – Lista Serbe dhe grupeve kriminale apo terroriste në Veri. Për çka deri më tani, përveç kësaj forme joshëse, qytetarët serbë të asaj pjese që konsiderohen qytetarë lojalë të vendit dhe pranojnë rendin dhe ligjin, ndihen të kërcënuar dhe të shantazhuar. Përkundër argumenteve që është dëshmuar se niveli i hierarkisë i kësaj lëvizjeje ka qenë organizimi i sulmeve terroriste, megjithatë nuk ka arritur të shpallet si organizatë terroriste, për çka kemi thirr prej kohës”, ka deklaruar Halimi.

Halimi theksoi se qytetarët serbë që pranojnë rendin dhe ligjin e Kosovës ndihen të kërcënuar dhe të shantazhuar, ndërsa paralajmëroi se nëse Lista Serbe e humb pushtetin, nuk përjashtohet mundësia e incidenteve.

“Çka e bën të shqetësohemi me të drejtë, duke pasur parasysh të gjitha këto joshje, shantazh dhe kërcënim, Lista Serbe do të fitojë pushtetin, që do të thotë në mënyrë automatike rikthim i gjendjes ndoshta jo siç ka qenë, mirëpo do të rikthehet në një masë. Për çka ne nuk i kuptojmë edhe zërat të cilët kanë qenë pro që kjo listë të certifikohet, në vet faktin e rikthimit të gjendjes të cilën nuk e dëshirojmë. Ndoshta mund të ketë të vërtetë me rastin e marrjes së pushtetit, sepse jo vetëm Lista Serbe, por e dimë se secila parti arrin të krijojë mundësi apo hapësirë njerëzve të saj posa të marrë pushtetin. Mirëpo në rast se vërehet se ka indikatorë se Lista Serbe do të pësojë disfatë në këto zgjedhje, nuk përjashtohen edhe mundësitë e incidenteve, për çka ne besojmë që institucionet e sigurisë kanë arritur nivelin e gatishmërisë dhe të vigjilencës, duke vlerësuar edhe nivelin e rrezikut për t’iu përgjigjur me të njëjtin nivel të përgjegjësisë ose të reagimit”, theksoi ai.

Ai vlerësoi se institucionet e sigurisë, sidomos Policia e Kosovës, janë të gatshme të reagojnë dhe ta mbajnë situatën nën kontroll në zgjedhjet e 12 tetorit.

“Fatmirësisht, institucionet tona të sigurisë, sidomos policia, e ka dëshmuar që tashmë janë në gjendje ta fusin situatën nën kontroll, pavarësisht cilit nivel të rrezikut bëhet fjalë, prandaj shpresojmë që edhe në këtë rast gjithçka do të jetë nën llupën e tyre”, shtoi kriminologu. /EO