
Vrasja e gjyqtarit, reagon Dhoma Kombëtare e Avokatisë
Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka reaguar pas ngjarjes tragjike të vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, e ndodhur sot rreth orës 15:00 brenda ambienteve të gjykatës në Tiranë.
Në një deklaratë të lëshuar nga kryetari i saj, Maksim Haxhia, trupa e avokatëve shpreh ngushëllimet më të thella për familjen e të ndjerit.
“Të tronditur thellësisht nga ngjarja, lidhur me vrasjen në ambientet e gjykatës të Gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, kolegut dhe mikut tonë Astrit Kalaja, trupa e avokatëve i përcjell familjes ngushëllimet më të thella,” thuhet në deklaratën e Haxhisë.
Ai e cilësoi këtë ngjarje si një goditje të rëndë jo vetëm për komunitetin gjyqësor, por edhe për të gjithë sistemin e drejtësisë dhe shtetin e së drejtës.
“Kjo ngjarje është gjithashtu një goditje për të gjithë sistemin e drejtësisë dhe shtetin e së drejtës,” shtoi ai.Kryetari i Dhoma Kombëtare të Avokatisë e konsideroi këtë incident si një thirrje alarmi për sigurinë e të gjithë profesionistëve të drejtësisë. “Kjo ngjarje, për këdo është një thirrje alarmi për sigurinë, së pari të jetës dhe shëndetit të kolegëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve,” theksoi Haxhia.
Ai bëri gjithashtu një apel për avokatët të intensifikojnë punën e tyre për ndërgjegjësimin e palëve në proceset penale, civile dhe administrative.
“Njëkohësisht, kjo është një thirrje edhe për avokatët për thellimin e punës për ndërgjegjësimin e palëve në procese penale, civile dhe administrative për atë që u takon ligjërisht dhe për pritshmëritë në proceset ku ata përfaqësojnë palët,” shtoi ai./rtsh