Samiti i Brdo-Brionit, Begaj pret në Durrës liderët e Ballkanit Perëndimor: Së bashku drejt së ardhmes evropiane

Samiti i Brdo-Brionit, Begaj pret në Durrës liderët e Ballkanit Perëndimor: Së bashku drejt së ardhmes evropiane

Aktuale October 06, 2025 - 11:06

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, mirëpret sot (6 tetor) në Durrës homologët e tij nga rajoni në kuadër të Samitit të Brdo-Brionit, që zhvillohet nën moton “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”.

Begaj, i shoqëruar nga presidentja e Sllovenisë Natasha Pirc Musar dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, dy prej nismëtarëve të samitit, kanë pritur liderët e Ballkanit Perëndimor.

Qëllimi i këtij samiti 2-ditor është mbështetja e integrimit evropian të rajonit dhe bashkëpunimi i vendeve për të ardhmen evropiane.

Liderët që marrin pjesë janë: Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, si dhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.

Në qendër të diskutimeve do të jetë Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, një paketë financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024–2027, e cila synon nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe përshpejtimin e integrimit të vendeve të rajonit në tregun e përbashkët evropian.

Samiti vjen në një moment kyç për Ballkanin Perëndimor, ku përveç temës së integrimit evropian, do të trajtohen edhe çështje që lidhen me forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ruajtjen e stabilitetit politik në rajon.

Kjo nismë rajonale, e nisur në vitin 2013 nga Sllovenia dhe Kroacia, synon të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, si dhe të lehtësojë përpjekjet e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Iniciativa e Brdo-Brionit, e cila synon nxitjen e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe integrimin evropian, mbahet çdo vit që nga themelimi i saj në vitin 2013. Vitin e kaluar, Samiti u zhvillua në Mal të Zi. Atje, udhëheqësit u angazhuan për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, reforma të mëtejshme dhe zbatimin e Agjendës së Gjelbër për rajonin. Takimi i këtij viti në Durrës pritet të vijojë me të njëjtin zotim, duke i dhënë rëndësi të veçantë dimensionit ekonomik. /rtsh.al

Image