Tri vajza tentojnë t’i japin fund jetës vetëm gjatë ditëve të fundit në Shqipëri, shkak bullizmi

Tri vajza tentojnë t’i japin fund jetës vetëm gjatë ditëve të fundit në Shqipëri, shkak bullizmi

Aktuale October 05, 2025 - 21:56

Tre vajza adoleshente tentuan vetëvrasjen për shkak të bullizmit dhe problemeve të shëndetit mendor vetëm gjate ditëve te fundit. Mjekët psikiatër thonë se stigma dhe frika nga etiketimi pengojnë fëmijët dhe prindërit të kërkojnë ndihmë. Çrregullimet e ankthit dhe depresioni janë të zakonshme, por trajtimi në kohë mund të shpëtojë jetë. Ata bëjnë thirrje qe prindërit, mësuesit dhe specialistët të bashkëpunojnë për të parandaluar pasojat fatale.

Nëse fëmija yt, po përballet me çrregullime të gjumit, probleme me oreksin, apo ndryshime në sjellje, mos i neglizho. Është moment kur duhet të drejtohesh te specialist, pasi fëmija yt, mund të jetë duke kaluar një fazë të vështirë.

“Jo vetëm specialist, e dallon mësuesi, psikologu, dallohet një fëmijë që ka probleme. Dallohet, nëse ka filluar të ketë sjellje të çuditeshe, çrregullime të gjumit, lejnë vaktet e ushqimit, mund të jenë pjesë e dietave të ndryshme që qarkullojnë në rrjetet sociale…mundohen të ndjekin modele apo shembuj në televizion”, tha psikologia Valentina Asabella.Në dy javë, 3 të mitura të moshës 13-16 vjeçe, morën aktin ekstrem, duke u vetë hedhur nga lartësia e pallatit ne tentative për ti dhënë fund jetës.

16-vjeçarja në Sarandë, fatmirësisht mbijetoi nga plagët e shkaktuara, po ashtu edhe 13-vjeçarja në Korçë, ndërsa ndryshe rezultoi për bashkëmoshataren e tyre në kryeqytet, e cila gjeti vdekjen menjëherë në vendngjarje, për shkak të plagëve të marra.

Ajo që i lidh bashkë këto ngjarje, është bullizmi i vazhdueshëm nga bashkëmoshatarët në shkollë. Ky fenomen tek adoleshentët është kthyer në problem serioz, sipas specialistëve të shëndetit mendor.

“Në shkolla vazhdon të ketë bullizëm… Rrjetet sociale në shumë raste bëhen pre për t’u bullizuar”, shtoi psikologia.

Çrregullimet e shëndetit mendor, po kthehen në kërcënuese për jetën e të miturve në vend. Dhe sipas mjekes psikiatre Valentina Asabella, kjo vjen kryesisht për shkak të refuzimit të kërkimit ndihmë tek specialist, si pasojë e stigmës në shoqëri.

“Ekziston akoma më shumë stigma. Stigma është ajo që i lë pa trajtuar. Në shumë raste janë fëmijët ata që nuk pranojnë të marrin mjekim, që nuk e pranojnë sëmundjen. Ka raste kur edhe vetë prindërit hezitojnë t’i trajtojnë nga frika se marrja e medikamenteve mund të bëhen të varur, apo të etiketohen sikur nuk janë si gjithë fëmijët e tjerë.  Kjo sjell fshehje të problematikës së shëndetit mendor, ti mbartin ato, mos të flasin hapur, dhe çojnë deri në pasojat fatale.”

Por, cilat janë problemet e shëndetit mendor më të hasura tek adoleshentët?

“Kryesisht çrregullimet e ankthit, të sjelljes që vijnë nga alkooli, substancat narkotike, ka dhe raste me depresion, deri tek psikozat në shëndetin mendorë”.

Për një mirëqenie sa më të mirë tek fëmijët, mjekja psikiatre Asabella, apelon për bashkëpunim sa më të ngushtë mes prindërve, mësuesve dhe çdo hallke tjetër në shoqëri.

“Në çdo institucion ka psikolog që mund të flasin për problemet e tyre. Nëse do të duket e frikeshe, në çdo moment është guxim, të kërkosh ndihmë. Duhet bërë thirrje mësuese, prindërve, kanë tipare të dukshme, ku venë re sjelljen e fëmijës.  Do të vendosja fokusin në marrjen e mjekimit në kohën e duhur, asnjëherë nuk do jepnim mjekim nëse nuk është nevoja. Nuk krijon varësi. Nëse nuk trajtohesh prishet cilësia e jetës. Mjekimi shpëton jetë.”/abcnews.al