
Nivel i ulët i ujit në burimet e Prizrenit për shkak të thatësirës
Vendi ynë, përgjatë gjithë territorit, është i varfër me ujëra rrjedhëse, ndaj dhe keqpërdorimet e ujit mund të jenë shumë të dukshme. Thatësira e zgjatur e kësaj vere, sipas ambientalistëve, ka ndikuar keq në rrjedhat e ujërave dhe burimeve natyrore.
Temperaturat e larta gjatë verës rezultuan në thatësirë e rënie të nivelit të ujit në burimet natyrale në Prizren. Në ‘Gurra e Poslishtës’ sot niveli i ujit këtu ka ra në kuotat më të ulëta në gjithë ekzistencën e saj.
E njëjta situatë ka ndodhur këtë vit edhe në rrjedhën e Lumbardhit.
"Ka ndodhur shumë herë më ra, por në këtë nivel, unë s'e mbaj mend, sepse tash nuk ka ujë hiç, veç çka ka mbetë ndërmjet do gropave nën gurë se nuk ka", tha Sejdi Pintolli, banor i Prizrenit.
Kjo gjendje hidrike në rrjedhat e ujërave, sipas ambientalistëve, ka shpjerë deri në ndryshimin e diversitetit të faunës sonë.
"Ka pasur raste të zhdukjes së specieve në Lumbardh, të them ashtu në tanë rrjedhën e Lumbardhit, jo vetëm lokale dhe vende të caktuara, për shkak edhe të ndotjes së lumit, por edhe për shkak të ndërprerjes së rrjedhës së ujit", tha Osman Krasniqi, ambjentalist.
"Edhe ajo gjallesë që është, nja tre a katër peshq që janë nën urë aty, nuk mund me jetua edhe një javë, nëse nuk bie shi, apo nëse nuk rritet niveli i ujit ata vdesin. Zogu me kaqurrela nuk ekziston më, u zhduk se nuk ka ku me jetua", tha Pintolli.
Rënia në përgjithësi e nivelit të ujit pos në diversitet, ndikon edhe në turizëm.
"Nëse peshku nuk ekziston në lumë, larvat e mushkonjave rrjedhimisht shumëzohen shumë, ndërsa qyteti vërshohet me një numër të madh të mushkonjave dhe ky është vetëm një proces i prishjes së biodiversitetit me të cilin ne takohemi ç'do vit", shtoi Krasniqi.
Megjithëse rënia e nivelit të ujit në burime është proces natyrorë, sipas njohësve të kësaj fushe, Kosova është vendi me më pak ujëra rrjedhëse në gjithë territorin e saj, ndërsa keqpërdorimet e ujit mund të jenë shumë të dukshme./rtk