Skadon mandati i Avokatit të Popullit, s’mund të zgjidhet pa Kuvend të konsoliduar
Foto: Laura Hasani

Skadon mandati i Avokatit të Popullit, s’mund të zgjidhet pa Kuvend të konsoliduar

Aktuale October 05, 2025 - 18:41

Më 28 shtator 2020, Naim Qelaj mori votat e nevojshme nga Kuvendi i Kosovës për të ushtruar detyrën e Avokatit të Popullit për një mandat pesëvjeçar, ashtu siç parashihet me ligj.

Pesë vite më vonë, me përfundimin e mandatit të tij, Kosova përballet me një sfidë institucionale, mungesën e një Kuvendi të konstituuar për të proceduar me zgjedhjen e pasardhësit.

Si pasojë, prej 28 shtatorit 2025, institucioni i Avokatit të Popullit ka mbetur pa drejtues mandat plotë.

Sipas Ligjit për Avokatin e Popullit, procedura për zgjedhjen e kreut të ri duhet të nisë gjashtë muaj përpara skadimit të mandatit aktual. Megjithatë, Kosova as gjashtë muaj më parë nuk kishte një Kuvend funksional.

Gjithsesi, i njëjti ligj, respektivisht neni 14 i tij,  parasheh një zgjidhje të përkohshme.

“Në rast të përfundimit të mandatit, Avokati i Popullit apo zëvendësi i tij/saj do ta ushtrojë funksionin e tij deri në zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit” – Ligji për Avokatin e Popullit.

Megjithatë, njohësi i çështjeve juridike, Ardian Bajraktari, shprehet se kjo situatë është e brishtë dhe shqetësuese, sidomos duke pasur parasysh se një numër i konsiderueshëm institucionesh udhëhiqen aktualisht nga ushtrues detyre.

“Besoj që kjo duhet të jetë një sinjal për përfaqësuesit e subjekteve politike në Kuvend që të reflektojnë dhe të përmbushin detyrimet e tyre elementare. Fillimisht, duhet sa më parë të përmbyllin procesin e konstituimit dhe të fillojnë funksionalizimin e institucioneve të kësaj natyre”, ka deklaruar Bajraktari.

Avokati i Popullit mbetet një ndër institucionet më të rëndësishme të pavarura të shtetit, i cili ka për mision mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme të autoriteteve publike.