
Përurohet rruga Gorozhup – Pogaj, projekt i marrëveshjes Kosovë – Shqipëri
Sot është peruruar rruga ndërkufitare Gorozhup (Has të Prizrenit)-Pogaj, projekt ky në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Në perurimin e rrugës kanë marrë pjesë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ushtruesin e detyrës së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Petrit Malaj, prefektin e Qarkut Kukës, Dritan Baji, kryetarin e Bashkisë Has, Miftar Dauti, deputetë të dy kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Me këtë rast, Kurti tha se përurimi i kësaj rruge është tejet i rëndësishëm për banorët e kësaj zone, por edhe për turizmin malor e kulturor, të dy republikave tona të të njëjtit komb, si një arterie vendimtare për qarkullimin e lirë, për shkëmbimet të cilat do të jenë gjithnjë e më të mëdha.

“Kjo është një pjesë e vogël e borxhit të madh që kemi ndaj këtij komuniteti, që i ka dhënë shumë edhe zhvillimit ekonomik edhe historisë sonë kombëtare”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se pas përfundimit të rrugës Kërstec-Pakishtë-Zapot, e cila ishte me vlerë prej 2.6 milionë euro, kjo rrugë që inauguruam sot, Gorozhup-Pogaj është në vlerë prej afër 1 milion euro dhe me gjatësi prej 3.7 kilometra.
Rruga e përuruar sot i lidhë fshatrat, Gorozhup edhe Pogaj, që historikisht kanë qenë një dhe të cilat i bashkojnë familja, tradita dhe jeta e përditshme. Kryeministri theksoi se lidhja jonë me Shqipërinë, përveç se historike e shpirtërore, duhet të jetë edhe fizike, e pikërisht kjo rrugë që e inaugurojmë sot është një dëshmi për hapat konkretë në drejtimin e duhur.

Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, u shpreh se para dy vitesh është nënshkruar protokolli i marrëveshjeve për tri rrugë, rrugën Kërstec-Pakishtë-Zapot, e një rëndësie të veçantë, këtë rrugë të cilën po e përurojmë sot që i ka ndarë padrejtësisht banorët prej shumë e shumë kohësh, dhe rrugën Dobrunë-Blinishtë, e cila ka qenë pjesë e kësaj marrëveshje.
Ai shtoi se Qeveria e Kosovës është e interesuar që të vazhdojë bashkëpunimin me Republikën e Shqipërisë edhe për shumë projekte të tjera, të cilat janë shumë të rëndësishme në këtë zonë. Me këtë rast, ai përmendi se një prej projekteve më të rëndësishme është vazhdimi i kësaj rruge prej Pogaj në Kishaj, pastaj Kishaj-Cahan, dhe nga Cahani në Krumë. Ai foli edhe për projekte të tjera, për të cilat tha se do t’i bëjnë bashkë dy qeveritë, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë.
Ndërkaq, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Petrit Malaj, tha se në këtë ditë solemne duke inauguruar këtë rrugë, ne hapim një kapitull të ri në dobi të kombit tonë. Ai theksoi se rruga Gorozhup-Pogaj është më shumë sesa asfalt apo gurë, është një urë që lidh dy fshatra, dy treva, dy anë të një kombi, dhe se ky investim është testament i lidhjes sonë historike dhe shpirtërore, lidhje që ka mbijetuar në shekuj.

Kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti, falënderoi kryeministrin Kurti për punën e bërë, duke thënë se sot Hasi ka plotësuar ëndrrën disavjeçare, bashkimin e trojeve hasjane. Ai tha se bashkërisht duhet të kontribuojmë që të bashkojmë çdo arterie që bashkohet Hasi me Hasin dhe Kosova me Shqipërinë, sepse vetëm në këtë mënyrën hiqen barrierat e vëna vite më parë. /Zëri