
Festa e Maltës në Prishtinë
Të premten në Prishtinë u mbajt ceremonia zyrtare për shënimin e Ditës së Pavarësisë së Maltës, një ngjarje e rëndësishme diplomatike që synon forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maltës.
Në këtë ngjarje morën pjesë Ambasadorja e Maltës në Kosovë, Juliana Scerri Ferrante, dhe Konsulli i Nderit i Maltës në Prishtinë, Remzi Ejupi, të cilët në fjalët e tyre përshëndetëse theksuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve.

“Është kënaqësi për mua që të drejtohem për herë të dytë si ambasadore e Maltës e ngarkuar në Kosovë. Malta ka përkrahur Kosovën vazhdimisht dhe do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen”.
“Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera në disa fusha, por po përmendi atë në arsim, ku nxënës nga Rahoveci dhe Prishtina tashmë kanë shkëmbyer përvojat e tyre me ata në Maltë”, tha Ferrante, duke përmendur edhe rrugëtimin që ka kaluar shteti i saj deri në ditët e sotme, kur po shënon 61-vjetorin e pavarësisë.
Ajo shprehu kënaqësinë për miqësinë e ngushtë që kanë ndërtuar Kosova dhe Malta ndër vite, duke theksuar përkushtimin e Maltës për të mbështetur rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian dhe zhvillimit ekonomik, ndërsa falenderoi Konsullin Ejupi i cili po kontribuon në këtë drejtim.

Ndërkaq, Konsulli i Nderit, Remzi Ejupi, vuri në pah rëndësinë e projekteve të përbashkëta dhe mundësive për thellimin e bashkëpunimit në fusha të tilla si arsimi, turizmi dhe ekonomia, duke e cilësuar këtë marrëdhënie si një shembull të mirë të miqësisë dhe solidaritetit ndërmjet dy shteteve.
“Jam i lumtur që për këto vite si Konsull Nderi i Maltës në Kosovë, kam afirmuar edhe më shumë marrëdhëniet mes dy shteteve”, u shpreh Ejupi.
Ceremonia u zhvillua në një atmosferë festive dhe miqësore, ku të pranishmit patën mundësinë të ndajnë përvoja dhe ide për bashkëpunim të mëtejshëm.

Bashkëpunimin e mirë mes Maltës dhe Kosovës, e potencoi edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se kryeqyteti ka një bashkëpunim të mirë me Maltën ku tashmë zhvillohen disa aktivitete fal këtij bashkëpunimi.

Shënimi i Ditës së Pavarësisë së Maltës në Prishtinë është dëshmi e lidhjeve të forta diplomatike dhe kulturore mes dy vendeve dhe e përkushtimit të ndërsjellë për ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme./Zëri
