
Supremja cakton seancë në nëntor për padinë e OEK-ut kundër ZRRE-s për tregun e hapur energjetik
Gjykata Supreme ka caktuar datën 05 nëntor, për mbajtjen e seancës gjyqësore në objektin e Pallatit të Drejtësisë, lidhur me padinë e iniciuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Kështu ka njoftuar OEK-u i cili ka saqaura se seanca ka për qëllim shqyrtimin e ligjshmërisë së një akti nënligjor me të cilin, në mënyrë të padrejtë dhe në dëm të bizneseve dhe qytetarëve të Kosovës, është marr vendim që kompanitë të nxirren, sipas tyre, me dhunë në tregun e lirë të energjisë elektrike.
“Ne konsiderojmë se ky vendim cenon interesat e përgjithshme ekonomike, rrit pasigurinë për konsumatorët dhe vendos barrë të padrejtë mbi bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat janë shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik në vend”, thotë OEK, transmeton Zeri.info.
OEK u ka ftuar ekspertët e fushës së energjisë, shoqërinë civile dhe të gjithë akterët relevantë të kontribuojnë me analizat dhe dëshmitë e tyre profesionale, me qëllim që para gjykatës të vërtetohet se ky vendim është i dëmshëm dhe i pajustifikueshëm.
“Besojmë fuqishëm se vetëm përmes transparencës, përfshirjes dhe zërit të përbashkët të qytetarëve dhe bizneseve, mund të mbrohen interesat publike dhe të sigurohet një treg energjie i drejtë dhe funksional në Kosovë”, thotë OEK. /Zëri