
PDK e LDK: Dialogu Kosovë–Serbi në vdekje klinike, marrëdhëniet me aleatët janë cenuar rëndë
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë deklaruar për Ekonomia Online se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është futur në “vdekje klinike” dhe se marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë janë dëmtuar rëndë, si pasojë e qasjes së kryeministrit Albin Kurti.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se dialogu ka humbur vlerën për shkak të të papërgjegjshmërisë së Kurtit.
“Kurti kur ka marr detyrën e tij si kryeministër në tavolinën e tij ka gjetur letra të njëpasnjëshme të presidentëve amerikanë të cilët i kërkonin institucioneve të Kosovës që të përfshihen në dialog në mënyrë që të arrihet një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse me njohjen reciproke në qendër. Falë qasjes së papërgjegjshme të Kurtit kemi një humbje të ambicies së aleatëve tanë për t’u përfshirë drejt për drejt në procesin e dialogut dhe mund të them që tani dialogu është në vdekje klinike”, tha Çitaku.
Ajo shtoi se Kosova ka fituar vetëm kur ka qenë e bashkërenduar me aleatët ndërkombëtarë. Megjithkëtë, Çitaku theksoi se Kurti nuk do të jetë më kryeministër.
“Kosova vazhdimisht ka fituar kur është bashkërenduar me aleatët. Falë këtij bashkërendimi në Rambuje ne kemi fituar lirinë dhe në Vjenë në procesin e Ahtisaarit kemi fituar pavarësinë. Kosova vetëm formalisht negocion me Serbinë, vetëm formalisht Serbinë e kemi përballë. Negociatat e diskutimi i vërtetë është mes Kosovës e aleatëve. Serbia e pat refuzuar edhe marrëveshjen e Rambujes, por ka pasur një dakordim mes Kosovës dhe aleatëve. Njëjtë edhe me marrëveshjen e Vjenës. Kurti në vend se që të përpiqet që të mbajë leksione të kota nëpër universitete dhe t’i lektrojë studentëve amerikanë, do të duhej të ulej dhe të bisedonte seriozisht me aleatët tanë. Por fati i mirë i yni është që kësaj qeverie i ka ardhur fundi, shpejt do të kemi zgjedhje të reja dhe Kurti nuk do të jetë më kryeministër”, deklaroi ajo.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, gjatë një deklarate për Ekonomia Online ka thënë se sjellja e Kurtit ka cenuar skajshmërisht raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Më teje ai ka theksuar se dialogu me Serbinë ka ngecur si pasoj e mos formimit të qeverisë së re dhe konstituimit të Kuvendit që nga zgjedhjte e 9 shkurt.
“Mendoj që janë cenuar ekstremisht marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, kemi pezullim të dialogut strategjik. Jemi edhe nën sanksione, nuk ka ku shkon më keq me këtë qeveri dhe me këtë sjellje të Albin Kurtit. (Ngecja e dialogut) është si pasojë që nuk kemi qeveri të re dhe nuk kemi edhe Kuvend të plotë të konstituuar”, tha Zemaj.