
Ekspertët: Serbia po përdor propagandë, kërcënime dhe inteligjencën artificiale për të ndikuar zgjedhjet në Kosovë
Serbia po vazhdon ta përdor propagandën dhe skenarët e saj për destabilizim të Kosovës. Profesori Universitar Alban Zeneli dhe hulumtuesi i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Gurakuq Kuçi në intervistë për Ekonomia Online, kanë paralajmëruar forma të ndryshme përmes të cilave Serbia po tenton të bëjë presion për ndikim në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Profesori Universitar, Alban Zeneli, tha se janë vërejtur taktika të njohura politike të përdorura për polarizimin e shoqërisë, përfshirë edhe përdorimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale. Këtë narrativë, Zeneli tha se e përdor Lista Serbe.
“Çfarë mundemi me thëne që është interesante në herat e fundit evidencat me anë të cilave mundemi me dëshmu që është përdorë edhe teknologjia e njohur inteligjenca artificiale. Janë kriju përmbajtje me anë të kësaj teknologjie me qëllim të mbështetjes politike të një kandidati kryesisht kandidatëve për kryetar komune, jo garës për asamble. Çfarë tjetër është e rëndësishme, kemi një vendim të Komisionit të Pavarur për Media me anë të cilit ndalohet gjuha e një spoti të Listës serbe në një media lokale në Kosovë. Një spot i cili e quante jetën e serbëve, jetë nën terror dhe si jetë me mungesë lirie, gjë të cilat përbënin sipas Komisionit të Pavarur të Mediave thirrje kundër kushtetuese dhe po ashtu shkelje të kodit etik. Kjo gjuhë dhe kjo narrativë që e përdor Lista Serbe padyshim është zgjatim i narratives që e përdor Qeveria e Serbisë kundër Kosovës duke tentuar me i paraqitë si viktima qytetarët serb të Kosovës të një sistemi që udhëhiqet në këtë rast nga Kryeministri Kurti”, tha ai.