
Murati i reagon Bajramit për “ikjen e 9.7% të popullsisë nga Kosova brenda vitit”
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka reaguar ndaj deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami e cila publikoi disa shifra të ikjes nga vendi, duke i krahasuar ato si më të larta se sa nga vendet që janë në luftë.
Sipas Muratit, ato nuk qendrojnë, ndërsa ka thënë se janë dy mundësi që Bajrami po keqinformon ose nuk po i kupton shifrat e publikuar.
“Janë dy mundësi: ose deputetja me vetëdije po manipulon, ose në rastin tjetër kur ajo njëmend e mendon këtë që e paska thënë atëherë ne duhet të brengosemi thellësisht për cilësinë e studentëve që prodhon ky lloj profesorësh”, ka shkruar Murati në reagimn e tij. /Zëri
Postimi i plotë:
Deri diku mund t’i kuptoj ata që nuk i njohin statistikat, kur bëjnë pretendime të tilla se gjoja për një vit të vetëm paskan lëshuar vendin 9.7% e popullsisë.
Por kur këtë e bën dikush që pretendon se është ligjërues në universitet, siç është deputetja Bajrami, atëherë janë dy mundësi: ose deputetja me vetëdije po manipulon, ose në rastin tjetër kur ajo njëmend e mendon këtë që e paska thënë atëherë ne duhet të brengosemi thellësisht për cilësinë e studentëve që prodhon ky lloj profesorësh.
Banka Botërorë nuk ka bërë asgjë më tepër sesa të paraqesë atë që e ka publikaur ASK, e që është numri i popullsisë rezidente në Kosovë.
Në vitin 2023 sipas ASK-së është VLERËSUAR të kenë qenë 1.76 milionë banorë, kurse me censusin e vitit 2024 kjo shifër ka dalë të jetë 1.6 milionë banorë. Pra nuk thuhet askund që vendin e kanë lëshuar 160 mijë persona brenda një viti, por që thjesht është korrigjim statistikor, nga vlerësimi i përafërt në vitin 2023 në shifrën aktuale sipas censusit të vitit 2024.
Kjo nënkupton se vlerësimi i viteve paraprake nga ASK ka qenë i gabuar, sepse herën e fundit kur ishte bërë numërimi i popullsisë ka qenë viti 2011, dhe prej atëherë ASK ka bërë vetëm vlerësim. E përgjatë vlerësimit nëpër vite në periudhën 2011-2023, shihet se ASK nuk ka arritur të përfshijë me saktësi largimin e popullsisë gjatë kësaj periudhe.
E ka qenë pikërisht viti 2014 dhe 2015 kur Kosova kishte përjetuar ekzod të ikjes të paparë, kur Hykmete Bajrami me partinë e saj patën tradhëtuar besimin e qytetarëve dhe patën shkuar në koalicion me PDK-në dhe Listën Serbe – pak a shumë siç po tentojnë të bëjnë edhe tani.