SHSKUK-ja i përgjigjet “Handikos”-it: Javën tjetër do të nisë shpërndarja e pajisjeve
Foto: Laura Hasani

SHSKUK-ja i përgjigjet “Handikos”-it: Javën tjetër do të nisë shpërndarja e pajisjeve

Aktuale October 03, 2025 - 15:09

Pas shqetësimit të ngritur nga shoqata “Handikos” për vonesat e paqartësitë, që, sipas tyre, po ndodhin në procesin e shpërndarjes së pajisjeve ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara, SHSKUK-ja ka dalë me sqarim, derisa ka bërë të ditur se në fillim të javës së ardhshme do të nisë shpërndarja e pajisjeve të para për përfituesit.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës thotë se pas kompletimit të aplikacioneve dhe vlerësimit nga komisionet përkatëse, është përgatitur plani i veprimit për furnizimin me pajisje ndihmëse për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

“Duke u bazuar në renditjen, sipas radhës së aplikimit, në fillim të javës së ardhshme do të nisë shpërndarja e pajisjeve të para për përfituesit. Montimi i pajisjeve do të kryhet nga profesionistë të fushës përkatëse, ndërsa një pjesë e tyre do të montohen edhe në shtëpitë e përfituesve, me qëllim të garantimit të përdorimit sa më efikas dhe të sigurt të tyre”, thuhet të njoftimin e SHSKUK-së.

Sipas planit të veprimit, thotë SHSKUK-ja, të gjithë aplikuesit që kanë kaluar vlerësimin e komisionit do të pajisen me pajisjet ndihmëse dhe nuk ka nevojë të kenë shqetësime për këtë proces.

“Ndërkohë personat që nuk kanë aplikuar për përfitim të këtyre pajisjeve do të kenë mundësi që aplikimin ta bëjnë në zyrat e komisionit, në ndërtesën e ambulancave specialitike në QKUK, kati i dytë”, ka bërë të ditur SHSKUK-ja në sqarimin rreth kësaj çështjeje.