
Ulutashi merr komandën e KFOR-it
Ozkan Ulutash, gjeneralmajori i Ushtrisë turke, ka marrë sërish komandën e KFOR-it, pas përfundimit të mandatit të komandantit të ushtrisë italiane, Enrico Barduani. Gjatë ceremonisë u potencua ndikimi i këtyre forcave ndër vite për sigurinë e vendit dhe aspirata e Kosovës për anëtarësim në NATO.

Ulutashi gjatë marrjes së detyrës tha se është jetike vazhdimësia e misionit për një ambient të sigurt për të gjitha komunitetet e vendit.
“KFOR-i ka shërbyer shumë mirë për Kosovën dhe është i gatshëm për çdo sfidë të sigurisë që mund të lindë. Po ashtu, dua të falënderoj KFOR-in për respektin dhe mbështetjen e dhënë ndaj partnerëve dhe komunitetit që shërben. Si pjesë e KFOR-it, prioritetet e mia gjatë këtij misioni kanë qenë gjithmonë të siguroj një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm dhe të mbrojë sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, deklaroi ai.
Gjeneralmajori i ushtrisë italiane, Enrico Barduani, tha se reduktimi i forcave të KFOR-it në Kosovë në më pak se 10% të asaj që ishin në vitin 1999 është dëshmia e sigurisë në vend.

“Kjo nuk është aspak një arritje e vogël. Megjithatë, ende ka shqetësime për qëndrueshmërinë e sigurisë për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura dhe pikërisht për këtë arsye roli i KFOR-it mbetet kritik, si dhe thelbësor për t’u parë si pjesë integrale e angazhimit të vazhdueshëm të bashkësisë më të gjerë ndërkombëtare. NATO-ja vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe KFOR-i po luan rolin e vet në këtë drejtim. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është një kornizë për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe për arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”, tha ai ndër të tjera. /rtk
