
Barduani: Ka shqetësime në aspektin e sigurisë, rruga drejt paqes s’është ushtarake - por politike
Gjeneralmajori i Ushtrisë italiane, Enrico Barduani, në fjalën e tij të fundit si komandant i KFOR-it është shprehur se ende ekzistojnë disa shqetësime në aspektin e sigurisë në Kosovë.
Barduani u shpreh se që nga viti 1999 situata është përmirësuar ndjeshëm, por sipas tij ka shqetësime për humbjen e sigurisë si shkak i disa çështjeve të pazgjidhura.
“Ende ka shqetësime për humbjen e sigurisë si shkak i disa çështjeve të pazgjidhura dhe për këtë arsye roli i KFOR-it mbetet thelbësor dhe kritik për t’u parë si pjesë integrale e angazhimit të mëtejmë të bashkësisë më të gjerë ndërkombëtare”, tha Barduani.
Tutje, ai u shpreh se NATO-ja vazhdon ta mbështesë dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, teksa potencoi se rruga drejt paqes dhe sigurisë nuk është ushtarake, por politike.
“NATO-ja vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe KFOR-i po luan rolin e vet në këtë drejtim”.
“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është një kornizë për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe për arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Rruga drejt paqes dhe sigurisë nuk është ushtarake, është politike”, tha ai. /klankosova