Gërvalla priti delegacionin nga Iowa: Kosova, lidere në rajon për siguri

Gërvalla priti delegacionin nga Iowa: Kosova, lidere në rajon për siguri

Aktuale October 03, 2025 - 11:42

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim një delegacion të drejtuesve të institucioneve të zbatimit të ligjit nga shteti amerikan i Iowës, i kryesuar nga Dennis McDaniel, shef i policisë së qytetit të Johnstonit.

Në njoftimin e MPJD-së thuhet se ministrja në detyrë e ka njoftuar delegacionin amerikan për progresin e vazhdueshëm të Kosovës në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, progres ky i konfirmuar edhe nga raportet ndërkombëtare kredibile që e vendosin Republikën e Kosovës në krye të renditjeve në Evropë dhe më gjerë sa i përket sigurisë.

“Duke iu referuar rezultateve konkrete që janë arritur në bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Iowës deri më tani, Ministrja Gërvalla shprehu mbështetjen e plotë për thellimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të partneritetit, duke përfshirë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të zbatimit të ligjit, si një komponent i rëndësishëm dhe me potencial në këtë aspekt”, theksohet në komunikatën e MPJD-së.

Në takim, Gërvalla ka shprehur gjithashtu mirënjohjen e përhershme të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Iowës dhe të miqve amerikanë në nivel qendror e lokal.

Po ashtu, Gërvalla ka falënderuar përzemërsisht gjeneralmajorin në pension, Timothy Orr, i cili ishte i pranishëm në takim, për përkushtimin e tij dhe ka shprehur mirënjohje të veçantë për Gardën Kombëtare të Iowës për kontributin në ndërtimin e kapaciteteve dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.