
Prokuroria në Hagë kërkon të refuzohen provat për masakrat e Serbisë në Kosovë
Prokuroria e Specializuar e Hagës ka refuzuar pranimin e disa provave materiale të mbrojtjes së Jakup Krasniqit, të cilat kanë të bëjnë me krimet e forcave serbe në Kosovë. Madje, hedhja poshtë e dokumenteve dhe raporteve të prezantuara është bërë me një shpërfillje dhe terminologji të rëndë kundrejt këtyre ngjarjeve, që përfshinë masakrat ndaj popullsisë civile shqiptare gjatë luftës.
Për shembull, “të parëndësishme” i ka quajtur Prokuroria Speciale masakrat e kryera nga serbët ndaj shqiptarëve në Rahovec.
“Pika 11 duhet të mos pranohet për shkak të mungesës së rëndësisë. Trupi Gjykues e ka bërë të qartë se krimet ose dhuna e kryer nga forcat serbe janë përgjithësisht të parëndësishme. Pika 11 është një dokumentar i BBC-së, tërësisht mbi krimet serbe të kryera kundër shqiptarëve të Kosovës në zonën e Rahovecit në vitin 1998. Videoja përmban pamje grafike të viktimave të këtyre krimeve dhe asnjë informacion që mund të jetë i rëndësishëm për ndonjë aspekt të çështjes, me përjashtim të një pjese të shkurtër, ndaj së cilës ZPS-ja nuk kundërshton”, tha Prokuroria.

Njëjtë u veprua edhe për një rast të vrasjes së një shqiptari në mars të vitit 1999.
“Pika 16 është një raport mbi vrasjen e një shqiptari të Kosovës nga autorë të dyshuar serbë në mars 1999. Pranimi i tij duhet të refuzohet pasi ai përsërit fakte tashmë të gjykuara dhe, përndryshe, ka të bëjë vetëm me krime të serbëve. Përkundër paraqitjes së Mbrojtjes, dokumenti nuk përmban asnjë informacion mbi kontrollin e UÇK-së mbi autorët e krimeve pas konfliktit”, thotë në argumentim tutje, Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Të parëndësishme” për prokurorinë janë edhe faktet tjera historike të dëbimit të civilëve shqiptarë nga shtëpitë e tyre, e të cilët më pas s’mund të ktheheshin.
“Pranimi i Pikës 19, [REDAKTUAR], duhet të refuzohet për mungesë të rëndësisë. Fakti që civilët shqiptarë të Kosovës nuk mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre, në ose rreth Rahovecit/Orahovcit, në korrik 1999, nuk është i rëndësishëm për asnjë akuzë apo fakt material, dhe as Mbrojtja nuk ka argumentuar se është. Përkundër paraqitjes së Mbrojtjes, informacioni në dokument nuk ka asnjë lidhje të dukshme me politikën e UÇK-së apo me ndonjë krim për të cilin është ngritur aktakuza”, tha tutje Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte vepruar ndryshe me materialet e ardhura nga Serbia. Këto prova të propozuara nga ana e Prokurorisë përfshinin artikuj mediatikë, video-intervista, raporte zyrtare, e madje edhe dosje të tëra të prodhuara nga struktura shtetërore të Serbisë.
Në kërkesën 50-faqëshe të ZPS-së dërguar në Gjykatë, për të cilën pati raportuar VOX Kosova, zbulohet se të njëjtat kanë si burim MUP-in serb, Shërbimin e Sigurimit Shtetëror të njohur si BIA, të ashtuquajturën Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Arkivat Shtetërore të Ushtrisë dhe Policisë Serbe si dhe Gjykatat Ushtarake jugosllave të cilat aso kohe kontrolloheshin nga regjimi gjenocidial i Millosheviqit.
Që prej nisjes së çështjes së mbrojtjes kanë dëshmuar katër dëshmitarë të Hashim Thaçit: James Rubin, Paul Williams, John Duncan dhe së fundmi Jock Covey. Në Speciale pritet të paraqiten edhe dëshmitarë të thirrur nga Jakup Krasniqi. /demokracia