Ramadani: Pa zgjidhje të shpejtë, po shkojmë në kolaps
Foto: Laura Hasani

Ramadani: Pa zgjidhje të shpejtë, po shkojmë në kolaps

Aktuale October 03, 2025 - 09:51

Eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, ka ngritur alarmin se nëse nuk do të ketë një zgjidhje të shpejtë, atëherë vendi po shkon në kolaps.

“Pasojat janë të mëdha dhe ripërtëritja e Kosovës ka kosto për gjenerata të tëra!”, ka shkruar ai

Postimi i plotë:

Pa zgjidhje të shpejtë, po shkojmë në kolaps!

Nëse nuk ka zgjidhje fort të shpejtë për tejkalimin e bllokadës, madje me urgjencë racionale, kolapsi shtetëror rrezikon të ardhmen e popullit të Kosovës.

Pasojat janë të mëdha dhe ripërtrirja e Kosovës ka kosto për gjenerata të tëra!

1.

Tashmë sa muaj Kosova është futur gradualisht në kolaps institucional:

– Agjenci të pavarura pa Borde e pa mandat ligjor;

– Ministri të shumta pa Sekretar të Përgjithshëm, madje ka Ministri që ka ndërruar 16 u.d. sekretar;

– Mekanizma të shumtë pa aftësi ligjore të vendimmarrjes.

2.

Kolapsi buxhetor mund të mbërrijë në muajin mars 2026 dhe të kulmojë në muajin prill 2026, kur askush nga institucionet publike nuk mund të merr as pagat e muajit mars.

Sipas legjislacionit, në janar dhe shkurt 2026 mund të zbatohet rregulli prej 1/12ta e Buxhetit të vitit 2025, por pas kësaj duhet votim me shumicë në Kuvend.

3.

Kolapsi i sigurisë publike është pasojë në secilin vend ku ka kolaps institucional dhe buxhetor.

Askush nuk mund të vlerësojë se siguria publike mirëmbahet vetvetiu nga qytetarët dhe nuk preket nga rrethanat tjera të kolapsit!