Aktivistja Albulena Fazliu në mesin e të ndaluarve nga forcat izraelite
Foto: Facebook

Aktivistja Albulena Fazliu në mesin e të ndaluarve nga forcat izraelite

Aktuale October 02, 2025 - 20:07

Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se, në mesin e aktivistëve të ndaluar nga Izraeli gjatë Flotës Summud, është edhe Albulena Fazliu, e cila është nga Kosova e jeton në Gjermani, dhe angazhohet për dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza.

Sipas organizatës, Albulena Fazliu është njëra nga mbi 500 aktivistë nga 40 vende të botës që u ndaluan nga Ushtria e Izraelit gjatë përpjekjes për të hapur një koridor humanitar.

“Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, i ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të kërkojë nga Izraeli lirimin e Fazliut. 

“Ndër aktivistët/et nga 40 vende të botës që kanë mësyrë të hapin korridor humanitar, është edhe Albulena Fazliu. Albulena është refugjate e luftës nga Kosova në Gjermani e cila tashmë është kidnapuar nga Izraeli.  Shteti i Kosovës duhet të kërkojë menjëherë që Izraeli ta lirojë Albulenën dhe aktivistet e aktivistët tjerë dhe njëherë e mirë të marrë pozicion politik dhe të thërrasë për ndalim të shfarosjes së popullit palestinez nga Izraeli. Shteti dhe shoqëria jonë duhet të qëndrojnë krah Albulenës, popullit palestinez dhe gjithësecilës/it që është duke u angazhuar që Palestina të jetojë, dhe të jetojë e lirë”, thuhet në reagimin e “Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist”. 

RTKlive ka kërkuar një përgjigjje nga Ministria e Jashtme dhe e Diasporës, por deri në publikimin e  lajmit nuk ka ndonjë përgjigjje lidhur me këtë rast.