
Prokuroria nis shqyrtimin e materialit të përgjimit në rastin e Lladrovcit
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur shqyrtimin e materialit të përgjimit në rastin e një audio-incizimi ku i përfshirë është kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Kështu kanë bërë të ditur ekskluzivisht burime të klankosova brenda prokurorisë.
Të njëjtat burime thanë se ende nuk ka nisur hetimet në lidhje me këtë çështje pasi janë duke i shqyrtuar materialet.
Në audio-incizimin e publikuar nga “Vox Kosova” dëgjohet kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, duke folur për një pronë milionëshe.
Në lidhje me këtë, Rinia Demokratike ka organizuar dje një aksion simbolik përpara komunës së Drenasit të cilës në hyrje i vunë shiritin “rrezik”.
Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, e quajti kundërkandidatin e tij, Ramiz Lladrovcin si “kampion i pazareve dhe abuzimeve me prona publike”.
“Ai që veten e quante ‘kampion’, vërtetë po del të jetë kampion i pazareve dhe i abuzimeve me prona publike. Po del kampion i korrupsionit dhe jo i qytetarëve”, i tha Hajdari, Lladrovcit. /klankosova