
Sveçla në takim me delegacionin nga policia e Iowa-s,flasin për bashkëpunim
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka pritur në takim një delegacion nga policia e i Iowa-s.
Siç ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme, aty u diskutua për raporte mes të dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e sigurisë dhe kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në konsolidimin dhe forcimin e institucioneve.
“Fillimisht ministri Sveçla i uroi mirëseardhje delegacionit të Iowa-s në Kosovë, siç e quajti ai në shtëpinë e tyre të dytë dhe i falënderoi për bashkëpunimin në mes të dy vendeve tona. Gjatë takimit, u vlerësuan marrëdhëniet e ngushta dhe bashkëpunimi i frytshëm ndërmjet institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe atyre të Iowa-s, të cilat kanë reflektuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale të tyre”, thotë MPB-ja.
Ministri në detyrë, në këtë takim ka theksuar rëndësinë e thellimit të këtyre marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë, duke vënë në pah iniciativat e përbashkëta për shkëmbimin e përvojave dhe mbështetjen në ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve të rendit në Kosovë.
“Delegacioni i Iowa-s falënderoi për mikpritjen dhe shprehu vlerësimin maksimal për profesionalizmin e Policisë së Kosovës të cilin e kanë parë për së afërmi gjatë kësaj vizite në Kosovë. Në emër të delegacionit z. Dennis McDaniel - Shef i Departamentit të Policisë së Johnston shprehu gatishmërinë për të forcuar më tej lidhjet dhe bashkëpunimin me institucionet e Kosovës, veçanërisht me Policinë e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
Sipas MPB-së, ky takim tregon rëndësinë e bashkëpunimit dhe avancimit të marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe Iowa-s në fushën e sigurisë dhe rendit publik, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale të institucioneve tona për të krijuar ambient të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët tanë.