Covey: Sipas burimeve nga KFOR-i, Daut Haradinaj sulmoi mbrojtjen e Ibrahim Rugovës

Covey: Sipas burimeve nga KFOR-i, Daut Haradinaj sulmoi mbrojtjen e Ibrahim Rugovës

Aktuale October 02, 2025 - 12:07

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, James Covey tregoi se sipas burimeve nga KFOR-i, kishte dëgjuar se pjesëtarët e mbrojtjes së Ibrahim Rugovës ishin vrarë dhe se për këtë sulm përgjegjës ishte Daut Haradinaj.

“Nga bisedat me Bernard Kouchner dhe nga ajo që kemi mësuar nga burimet e KFOR-it më vonë, ne e kuptuam që të gjithë truprojat e tij ishin vrarë pothuajse të gjithë. Nuk e di nëse kjo është fushë për të cilën mund të flas unë në mënyrën e duhur pasi unë nuk jam informuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. KFOR-i besonte që vëllai i Ramushit, Daut Haradinajn ishte përgjegjës për këtë sulm”, tha Covey.

Dëshmitari tha se në atë kohë nuk kanë pasur dijeni për këtë dhe kanë mësuar shumë më vonë.

Covey tha se e di që Daut Haradinaj ka qenë pjesë e UÇK-së.

Përpara kësaj, ai ka thënë se LDK-ja ka refuzuar që të marrë pjesë në Komitetin Tranzitor të Kosovës (KTK) dhe që ata kanë menduar se kjo i referohej mungesës së Ibrahim Rugovës.

“Megjithatë, më lejoni të shtoj se në atë moment me datë 16 nuk kishim dijeni se ku ndodhej zoti Rugova vetëm se ai nuk ishte i pranishëm dhe mbase nuk ndodhej fare në Kosovë”, tha dëshmitari.

Ai theksoi se në ditët në vazhdim, LDK-ja dukej pa udhëheqje dhe e ndarë, dukej se nuk arrinte dot konsensus që t’i mundësonte të merrte pjesë në Komitet.

Dëshmitari Covey deklaroi se mendon që LDK-ja ka marrë pjesë në Qeverinë e Përkohshme. Këtë organ e quajti si “të fantazisë” pasi që nuk u funksionalizua me funksione ekzekutive.

Dëshmitari ka treguar se ka pasur tensione në mes LDK-së dhe UÇK-së. Ndërsa, gjyqtari Christoph Barthe e pyeti nëse këto tensione kanë bërë që Rugova të mos kthehej dot në Kosovë.

Covey tha se nuk do të spekulojë, por që vetëm di se anëtarët e LDK-së dukeshin se ishin pa udhëheqje.

“Më kalimin e kohës mësuam përmes Bernard Kouchner që shkoi e takoi. Ai ishte me depresion klinik pavarësisht se unë nuk jam mjek. Kishte frikë për sigurinë e tij personale dhe Bernard më shpjegoi mua që përpjekjet e tij kishin të bënin me bindjen e Rugovës se nëse vendoste të kthehej, siguria e tij do të ishte e siguruar. Kjo ishte një sfidë pasi që KFOR-i nuk mundej që të siguronte mbrojtjen e tij personale, por mund të siguronte zonën përreth tij”, tha ai.

Covey tha se Rugova u kthye pas këtyre sigurive pavarësisht nëse e ka kuptuar këtë në këtë mënyrë ose jo.

Më pas, dëshmitari u pyet se nga çfarë kishte frikë Ibrahim Rugova, dhe kjo duke u bazuar nga biseda me Kouchner. Si rrjedhojë e kësaj, dëshmitari foli për sulmin e pretenduar nga Daut Haradinaj. /bd