
Rama shaka me Macronin për gafën e Trumpit: Duhet të na urosh paqen e arritur mes Shqipërisë e Azerbajxhanit
Gjatë një samiti të Klubit Politik Evropian që po zhvillohet në Danimarkë, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka ironizuar në mënyrë të hapur lidhur me deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump.
Ky i fundit në disa raste ka ngatërruar Armeninë me Shqipërinë, duke pretenduar se ka zgjidhur një konflikt qindra vjeçar mes Azerbajxhanit dhe shtetit shqiptar.
Ky ngatërrim dhe deklarata e papritur e liderit amerikan ka sjellë reagimin e Ramës, i cili gjatë një takimi me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, nuk nguroi të përmendë me ironi rolin e presidentit amerikan në këtë proces.
Albanian PM Rama to Macron:
— Clash Report (@clashreport) October 2, 2025
You should congratulate Ilham Aliyev and me.
Trump has ended the conflict between us. https://t.co/6GhybUMMRe pic.twitter.com/lpjObSNFFt
“Duhet të na përgëzosh mua dhe Ilham Aliyevin. Trump ka zgjidhur problemin mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit”, tha Rama me humor, duke vënë në pah mënyrën e çuditshme se si udhëheqësi amerikan ka pretenduar të ndërmjetësojë dhe mbyllë një konflikt që në fakt nuk lidhet fare me Shqipërinë.
Deklarata e kryeministrit shqiptar erdhi gjatë një momenti relaksimi në samit, duke shkaktuar reagime dhe duke tërhequr vëmendjen për mënyrën se si zyrtarë ndërkombëtarë shpesh ngatërrojnë informacionet apo përpiqen të përfshihen në procese diplomatike pa njohuri të thella mbi realitetet rajonale.
Ndryshe, lufta mes Azerbajxhanit dhe Armenisë është një konflikt i gjatë dhe kompleks, kryesisht për shkak të rajonit të Nagorno-Karabakhut, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por që ka pasur një shumicë popullsie armene. /Telegrafi/