
Jeta e 75-vjeçarit brenda Shtëpisë së të Moshuarve në Prishtinë
Po e hap derën për të shkuar te vendi ku e kalon pjesën më të madhe të kohës së tij.
Ky është Islam Kuleta, 75 vjeçar, i cili që pesë vite është banor në Shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë.
Çdo ditë, nga mëngjesi e deri në mbrëmje, ai qëndron në serën e tij duke u kujdesur për perimet të cilat i ka mbjellur.
Po si i erdhi ideja që të mirrej me këtë kopsht?
“Këtu kur jom ardh në fillim, mas një dy muajsh, jom hi në këtë vend ku jemi, ish kon e pa punume. Nuk ka qenë e shfrytëzuar në as një lloj mënyre, edhe me dëshiren teme bona kërkesë edhe te shefat, u thashë ish një vend i preferum për kopsht. Unë i thashë merrna me këto sene, i kom marak, i thashë nëse bon po hi po e punoj. Tha po është shumë e pa punume, tepër, i thash kadal kadale dej ta mbrrij…Tash vit për vit e kom vazhdu punën. Edhe më shkojke koha ma mirë, edhe gjumi më i mirë, edhe u ushqejshin këtu banorët”, ka thënë njëri nga banorët.
E gjithë këtë punë, 75-vjeçari thotë se e bën vetëm për shkak të banorëve të shtëpisë të të moshuarve.
“Nuk kom pas kurrfarë fitimi për xhep, po veç kom pas fitim që i kom ushqy këta. Për hatër të Zotit dhe për hatër të tyre i kom punu dhe i punoj gjithë. Po du me thonë sa kom mundësi”,është shprehur tutje Banori.
Ndërkohë, në këtë të mërkurë po shënohet edhe Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve.
Kjo ditë në Shtëpinë e të moshuarve në kryeqytet u prit me një varg aktivitetesh.
“Janë shumë të lumtur, janë shumë të gëzuar, kur i shohin fëmijët, marrin përqafime prej tyre. Është dashnia ajo çka ju duhet më së shumti të moshuarve tanë, duke pasur parasysh që i kemi të moshuar pa përkujdesje familjare. Edhe ky institucion, kjo është shtëpi e tyre dhe sot mbushet me dashuri, mbushet me gjallni, me zëra dhe jehona të fëmijëve, ka theksuar Sahiti.
Se kjo ditë është e veçantë e thonë edhe dy nga banorët e kësaj shtëpie.
“Diten e pleqërisë është boll e mirë, po boll është për dikon e rëndë. Pse?. Se gjithë pleqtë nuk janë të njëjtë edhe nuk munden me qenë të njëjtë. Se dikush mundet me ec, mu qu dikush nuk mundet… kur tubohemi në shoqëri atëherë i qesim të gjitha galjet, mërzit për anash edhe me shoqëri e kalojmë, mundohemi ta kalojmë qysh është më mirë”,është shprehur banorja.
“Kjo ditë e shënuar është jashtëzakonisht e mirë për neve. Është shumë e rëndësishme… Vijmë në terapi dalim me pi kafe, knaqem. Buka në nivel, në rregull. Krejt jonë në rregull. Buzëqeshja, nuk të ofendon as kush këtu. Na qetu e kem gjetë ngrohtësinë”, ka theksuar banori tjetër.
1 tetori ëshë përcaktuar si Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve më 14 dhjetor 1990 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.