Fillon vaksinimi kundër gripit sezonal, rekomandohet që edhe pjesëtarët e Policisë e FSK-së të vaksinohen
Foto: Laura Hasani /Ilustrim

Fillon vaksinimi kundër gripit sezonal, rekomandohet që edhe pjesëtarët e Policisë e FSK-së të vaksinohen

Aktuale October 01, 2025 - 21:48

Janë pyetjet që po bëhen para marrjes së vaksinës kundër gripit sezonal.

Salih Isufi tash e pesë vite vjen në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë për t’u vaksinuar.

Kjo, sipas 75 vjeçarit, po i ndihmon që viruset sezonale t’i kalojë më lehtë.

“Që një pesë vite e marr rregullisht, kam pas ndihmë shumë prej tyre (vaksinës). I kemi vërejtur efektet e para se grip nuk kam pas. Ndoshta kam pas por e kam tejkaluar shumë lehtë”, ka thënë Isufi.

E jo vetëm në Fushë Kosovë, nga kjo e mërkurë në të gjithë Kosovën, qytetarët mund të vaksinohen më këtë vaksinë.

Për këtë, Isufi ka edhe një apel për të gjithë qytetarët.

“Apeli jem është se i kisha lut të gjithë ata që janë të moshuar sidomos nëse kanë pengesa që sa më shpejt ta marrin. Pasi këto vaksina janë në të mirë të të moshuarve”, është shprehur tutje Isufi.

Për efektet e kësaj vaksine ka folur edhe drejtori i kësaj Qendre Mjekësore, Ramiz Shala.

“Kjo jepet me kohë meqenëse është mbrojtje për me parandalu efektet anësore, sidomos për këto kategori të veçanta meqenëse në kontakt me virusin përkeqësohet gjendja e tyre.. benefitet janë të shumta, efektet anësore janë të pakta”, ka theksuar Shala.

Këtë vaksinë mund ta marrin personat mbi moshën 65 vjeçare, ata të cilët kanë sëmundje kronike e punëtorët shëndetësorë.

Por nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kanë treguar se edhe cilat kategori të tjera mund të vaksinohen.

“Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik sivjet ka rekomanduar që të vaksinohen edhe disa grupacione të  tjera, siç janë Forcat e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, për faktin se janë në shërbim që kanë shumë kontakt me komunitetin dhe interesimi është që të kemi sa më shumë të vaksinuar që të jenë të mbrojtur dhe të kenë shëndet të plotë”, ka thënë Hoti.

Simptomat e gripit sezonal zakonisht karakterizohen me ethe, kollitje, dhimbje e muskujve, lodhje dhe dhimbje e kokës./teve1