
Jakaj: Kuvendi ta votojë të propozuarin nga komuniteti serb për nënkryetar, ua garanton Kushtetuta
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se Kuvendi nuk është konstituar në mënyrë të plotë, pasi nuk është zgjedhur një nga nënkryetarët nga komuniteti serb.
Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, e quajti vendimin e Kushtetueses të drejtë, duke theksuar se pa përfaqësimin e komuniteteve, veçanërisht të komunitetit serb, Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituar.
“Vendimin e Gjykatës Kushtetuese e kemi parë konfirmim të atyre që i kemi thënë si IKD ku kemi konsideruar po atë ditë që kryetari Basha thoshte që është konstituar Kuvendi, një gjë e tillë ka qenë e pamundur, sepse pa zgjedhjen e njërit nga nënkryetarët, përfshirë të komunitetit serb, Kuvendi nuk mund të quhet i konstituar. Rrjedhimisht, kryetari Basha atë ditë bëri shkelje kushtetuese dhe shkelje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të dy aktgjykimeve edhe të gushtit, edhe të qershorit, përfshirë edhe aktgjykimin e vitit 2014 të Gjykatës Kushtetuese, duke interpretuar në mënyrë të gabuar edhe Kushtetutën, edhe Rregulloren e Kuvendit”, tha ai.
Jakaj u bëri thirrje partive politike që të votojnë kandidatin e propozuar nga komuniteti serb si obligim kushtetues për përfaqësim të drejtë në organin legjislativ.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i drejtë dhe konform kërkesave kushtetuese. Garancia kushtetuese për përfaqësim të komuniteteve në organet kolegjiale dhe individuale në organin legjislativ të Kosovës është dhënë me rastin e miratimit të Kushtetutës në vitin 2009 dhe me rastin e miratimit të Deklaratës së Pavarësisë. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka dalë ende në publik, përveç njoftimit. Sapo të dalë, Kuvendi duhet të mblidhet jo më vonë se 48 orë dhe Kuvendi ka 12 ditë të konstituohet. Me këtë rast, si VV-ja, PDK-ja, LDK-ha, AAK-ja dhe partitë e tjera duhen që të propozuarin që vjen nga komuniteti serb ta votojnë pa asnjë problem. Në këtë mënyrë e respektojnë një dispozitë kushtetuese që këtyre komuniteteve iu ka garantuar Kushtetuta. Secila parti duhet të votojë secilin kandidat që vjen si propozim”, tha për Ekonomia Online, Jakaj.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim të martën që seanca konstituive e Kuvendit, e nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar dhe që ajo duhet të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të saj të 30 shtatorit.
Gjykata i ka urdhëruar deputetët që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Gjykata ka thënë se ka vendosur të vazhdojë masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të aktgjykimit.
Në njoftim është bërë e ditur se aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese dhe njoftimit të palëve. Aktgjykimi i plotë nuk është publikuar ende në faqen e këtij institucioni./EO