Kastrati: Gjendja e pensionistëve në Kosovë nuk është e mirë
Foto: Laura Hasani

Kastrati: Gjendja e pensionistëve në Kosovë nuk është e mirë

Aktuale October 01, 2025 - 19:47

Sot është Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve. Lidhja e Pensionistëve të Kosovës ka kërkuar mbështetje sociale e shëndetësore nga institucionet e vendit. Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve, Sherif Kastrati, thotë se gjendja e pensionistëve në Kosovë nuk është e mirë.

Sot shënohet 1 tetori, Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve. Si i gjen kjo ditë pensionistët në Kosovë?

Sherif Kastrati: “Fatkeqësisht këtë gjendje nuk mund ta përshkruaj hiq. Duhet t’i falënderojmë remitencat që vijnë nga jashtë, të vetmet ato janë mbështetje. Ne jemi barrë për pasardhësit tanë, e të cilët në vend se t’i ngritin familjet e veta duhet të na mbajnë edhe neve, me vjen keq por shteti duhet të bëjë pak më shumë në këtë aspekt. Shtetet përreth kanë disa markete që ofrojnë përqindje më të vogël për produktet ushqimore për pensionistët, këtu nuk është një praktikë e tillë”.

 Si është gjendja e pensionistëve në Kosovë?

Sherif Kastrati: “Përkundër që kemi më pak pensionistë në rajon, asnjë qeveri deri më sot, nuk kanë pasur ndjesinë ndaj paraardhësve të vet. Këta duhet të jetojnë qysh do qoftë, është një proces biologjik që duhet m’u plakë dhe pleqërinë ta jetojnë në mënyrën më normale që është e në këto raste, ne nuk jemi normalë. Me këtë pension bazik, që është 120 euro, me të cilat nuk mundesh të mbijetosh veç me një shujtë, ku janë të tjera shërbime si kontrollet, pasi që të moshuarit kanë nevojë më tepër për barna edhe atë në mënyrë permanente, të shumta që i përcjellin sëmundjet kronike që është e domosdoshme e që kalon në një shumë të madhe, e mos të flasim edhe për njerëz të tjerë që janë shumë të sëmurë e nuk dinë nga t’ia mbajnë, ata më mirë veç të vdesin. Është një domosdoshmëri e kohës, këto që nuk po i rrisin pensionet, shteti po i shtynë njerëzit të vdesin sa më shpejt. se kjo me 120 euro, nuk mund të mbijetosh e sidomos një i vjetër. Çdo herë ka pasur mbështetje për medikamente, nuk kemi mbështetje, për barna esenciale duhet të subvencionohemi e mos me pagua. Kemi tension e disa sëmundje që janë te pleqtë, nuk ka mbështetje prej qeverisë. Diku 10 mijë janë pensionistë bazikë, e që marrin 120 euro që është ndihmë, e pjesa tjetër janë pak më mirë e ju del diçka deri në fund.  Këtu do të kisha pyet qeverinë a mundeni diçka të bëni për paraardhësit tuaj, është e domosdoshme, mos të vdesin ata nga uria dhe mos-ushqyeshmëria. Qeveria duhet të japë edhe mbështetje shëndetësore, kur shkon te mjeku duhet me prit në rend me orë të tëra në shërbime publike, edhe më shumë sëmuret duke prit sesa që shkon për t’u shëruar ose me pas me bë ndonjë incizim nuk ka shans me prit radhën se radha është e gjatë”.

Kur jemi te marrja e pensionit, pensionistët janë të obliguar që në Kosovë të lajmërohen çdo gjashtë muaj, për të gëzuar të drejtën e pensionit. Si e komentoni ju këtë fakt?

Sherif Kastrati: “ Kjo është shumë e nevojshme për t’u diskutuar. Një nga maltretimet më të mëdha që u bëhet pensionistëve është të lajmërohen në sportel. Po flas për Prishtinën, ai duhet të vije deri në qendër, duhet të paguajë taksi sepse shpesh familjarët kanë punë tjetër dhe nuk mund t’i sjellin.  Nëse është i lodhur, ai prapë duhet me hy në rend me prit, nuk e di pse me prit në rend kur ka forma të tjera, duhet shteti të mendojë për atë, nuk ka nevojë të paraqitet në sportel për çdo gjashtë muaj. Një e keqe është këtu që shpesh ndodh që i vjetri nuk ka përqendrim të mjaftueshëm dhe shpesh e harron datën e lajmërimit, dhe në këtë mënyrë e humb muajin, prandaj po them është mirë të mos maltretohen në këtë mënyrë, të mos lajmërohen, të mos humbasin para për të shkuar deri në sportel, sa më shpejt të hiqet ky nen!!”.

Çfarë do të kërkonit për të lehtësuar jetën e pensionistëve në Kosovë, qoftë edhe investime për rekreacionin e juaj?

Sherif Kastrati: “Rikrijimi i pensionistëve bëhet në mënyrë stihike, pra me mjete vetanake sepse nga ana e shtetit nuk ka subvencione. Por, qeveria është e domosdoshme me nxjerr Ligjin mbi Fondin Pensional, sepse ky është problem bazik i të gjitha gjërave të tjerë si dhe të hiqet paraqitja çdo 6 muaj, të mos ndalen pensionet nëse nuk lajmërohen.  Është një çështje tjetër për marrjen e kredisë për pensionistët, pensionisti nuk ka pasur të drejtë të marrë pension nëse nuk i ke mbi 200 euro pension. Diku janë afër 200 mijë njerëz që nuk e kanë këtë drejtë, e shtetet përreth japin deri në 12 mijë euro kredi për pensionistë, edhe çdo bankë nuk jep, përveç NLB-së. Një çështje tjetër është që shteti nuk e ka zbatuar Ligjin për nenin 13 dhe 14, ku për çdo vit qeveria duhet ta shikojë inflacionin dhe koston e rregullimit të jetës dhe në bazë të saj të caktojë edhe shumën e rritjes së pensioneve. Është edhe një problem tjetër që diplomat që janë marrë pas vitit 1991 nuk llogariten në sistemin të pensioneve apo rangimi sipas aftësive profesionale.”/rtk