Jashari: Nëse opozita voton pro nënkryetarit serb, LVV-ja do t’i sulmojë politikisht
Foto: Laura Hasani /Arkiv

Jashari: Nëse opozita voton pro nënkryetarit serb, LVV-ja do t’i sulmojë politikisht

Aktuale October 01, 2025 - 19:25

Analisti, Shemsi Jashari ka vlerësuar se, nëse partitë e bllokut ish-opozitar votojnë pro zgjedhjes së një nënkryetari serb të Kuvendit të Kosovës, ato do të sulmohen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas Jasharit, duke qenë se Lëvizja Vetëvendosje tashmë është deklaruar kundër këtij votimi, kjo e vendos opozitën në një pozitë të ndërlikuar dhe të pafavorshme, veçanërisht në prag të raundit të zgjedhjeve lokale.

“Nëse votimi bëhet në pako, mendoj se partitë opozitare do të duhej të votonin. Megjithatë, jemi në prag të një procesi zgjedhor lokal, ku shumica e komunave do të shkojnë në balotazh, dhe kjo e bën më të vështirë për to që të votojnë një përfaqësues serb. Lëvizja Vetëvendosje tashmë është deklaruar se nuk do ta mbështesë votimin, pavarësisht kërkesës nga Gjykata Kushtetuese. Nëse e votojnë, LVV-ja do t’i sulmojë publikisht, duke i akuzuar se janë në një linjë me Listën Serbe dhe se i kanë mundësuar asaj përfaqësim, ndërkohë që vetë LVV-ja jo. Kjo do t’u krijonte një avantazh elektoral Vetëvendosjes në balotazh, përmes një retorike të ashpër ndaj kundërshtarëve, duke i paraqitur ata si më të interesuar për përfitime politike sesa për interesin e shtetit,” ka përfunduar ai” ka thënë Jashari në Tëvë1.