
PD-ja ende pa kandidat zyrtar për Tiranën, në pritje të dekretit të Presidentit Begaj
Në selinë blu ende nuk ka “tym të bardhë” për zgjedhjet vendore në Tiranë. Partia Demokratike nuk ka shpallur ende kandidatin zyrtar që do të përballet me Ogerta Manastirliun, ndërsa negociatat me partitë opozitare kanë prodhuar vetëm një listë me disa emra potencialë.
Më të fundit në këtë listë janë Edlira Çepani, aktiviste dhe bashkëshortja e ish-deputetit të ndjerë Gerti Bogdani, si dhe politologu Ermal Hasimja. Të dy këta emra përmbushin kriterin e vendosur nga partia “Mundësia” e Agron Shehajt, që kërkon një kandidat jashtë politikës tradicionale — një përfaqësues nga shoqëria civile dhe një tjetër nga bota akademike.
Ndërkohë, një tjetër propozim mbi tryezën e negociatave është edhe Florian Hackaj nga organizata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, duke përfshirë kështu në këtë proces edhe zërin e diasporës. Megjithatë, për Partinë Demokratike, më shumë se emrat, rëndësi kanë parimet që do të udhëheqin përzgjedhjen.
Por paqartësia për kandidatin nuk është dilema e vetme e opozitës. Partia është në pritje të dekretit të Presidentit Bajram Begaj, i cili duhet të vendosë nëse do të njohë ankimimin në Gjykatën Kushtetuese të Erion Veliajt, që kërkon pezullimin e zgjedhjeve në Tiranë, apo do të firmosë dekretin që i jep dritën jeshile zgjedhjeve në kryeqytet dhe në 5 bashki të tjera.