Covey mohon ndërlidhjen e Thaçit me krimet e supozuara të UÇK-së

Covey mohon ndërlidhjen e Thaçit me krimet e supozuara të UÇK-së

Aktuale October 01, 2025 - 15:56

Dëshmitari James Peter Covey, në vazhdim të dëshmisë së tij në Hagë, sot, ka thënë se Hashim Thaçi nuk ka ndërlidhje me asnjë nga pretendimet e prokurorisë për veprimtari kriminale nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai deklaroi se krimet që pretendoheshin se janë kryer nga UÇK-ja nuk i ka dokumentuar vetë. Por ai ka pranuar se ka raportime për ngjarje të tilla kriminale.

Coveyt iu është prezantuar nga prokurorja Vega Iodice një libër, në të cilën pretendohet se ushtarët e UÇK-së në fund të qershorit ’99 kanë vrarë rreth 100 civilë, kryesisht serbë.

Gjithashtu Iodice ka prezantuar edhe një dokument të Departamentit Amerikan të Shtetit për Malin e Zi dhe Serbinë lidhur me të drejtat e njeriut, në të cilën pretendohet se UÇK ka kryer vrasje, zhdukje, rrëmbime të policëve dhe civilëve serb.

“Këtë dokument nuk e kam parë kurrë. Ato që përshkruhen në këtë paragraf ishin dhe po e vë në thonjëza ‘diçka që e dinin të gjithë’. Por, nuk kam qenë i përfshirë në procesin e dokumentimit të rasteve konkrete dhe individuale”, ka thënë dëshmitari James Peter Covey, si përgjigje.

Seanca vazhdoi në sesion privat, pasi u tha se do të trajtohet informacioni i një dokumenti konfidencial. Pas përfundimit të këtij sesioni, Covey tha se Hashim Thaçi nuk ndërlidhet me asnjë nga këto pretendime të ngritura nga Prokuroria.

“Deklarata ime ka të bëjë me vlerësimet tona me rolin që ka luajtur Thaçi, qoftë rol të hamendësuar apo real lidhur me këto incidente. Deklarata ime tregon kryesisht gjykimin tonë lidhur me autoritetin që ka pasur ai për individë të cilët që është pohuar apo jo që kanë kryer këto krime. Sipas mendimit tim, asnjë prej këtyre aktiviteteve nuk lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me zotin Thaçi, apo asnjë prej tyre nuk kundërshton mënyrën se përse ne kemi arritur në gjykimin që kemi arritur”, tha Covey.