Rrugëtimi 2 mijë kilometërsh i kosovarit me biçikletë në kujtim të babait

Rrugëtimi 2 mijë kilometërsh i kosovarit me biçikletë në kujtim të babait

Aktuale October 01, 2025 - 15:49

Hasan Rrahmani, me origjinë nga Kosova i cili është banues në Haslemere të Londrës ka bërë një rrugëtim të veçantë me biçikletë, i cili përshkroi mbi 2 mijë kilometra deri në Kosovë, në kujtim të babait të tij, Eminit, i cili vdiq nga kanceri në pankreas.

Rrahmani u nis nga shtëpia e babait të tij në Hendon, në veri të Londër, bashkë me fqinjin e tij, Gary Lloyd, më 7 shtator, ku udhëtuan deri në portin e Portsmouthit, pastaj e morën tragetin për në Francë dhe më pas u drejtuan për në Zvicër.

Të dy, me biçikletë kaluan Alpet dhe shkuan në Itali për të vazhduar me biçikleta dhe duke kaluar Detin Adriatik me traget drejt Shqipërisë.

Hasani më pas udhëtoi i vetëm nëpër Maqedoni të Veriut, para se të mbërrinte në Kosovë të premten, duke mbledhur më shumë se 9 mijë funte për organizatën “Pancreatic Cancer UK”.

Në një intervistë për BBC-në, Rrahmani tregoi për shenjat e para të babait të tij i cili kishte kancer, duke thënë se ai ishte ndier shumë i lodhur në nëntor të vitit 2019, por mendonte se kjo i vinte nga diabeti i tipit dy dhe nga mosha.

“Gjatë një udhëtimi në Kosovë, Emin filloi të ndjehej keq dhe u kthye në Angli. Kur mbërriti, Emin ishte në ‘dhimbje të padurueshme’ aq sa u mor me ambulancë direkt në aeroport”.

“Skanimet zbuluan se ai kishte kancer në pankreas dhe pasi niveli i anglishtes së Eminit ishte vetëm bisedor, i biri duhej t’ia jepte lajmin e hidhur në ‘njërën prej bisedave më të vështira’ që kishte pasur ndonjëherë”, shkroi BBC, transmeton Klankosova.tv.

Rrahmani tha se fjalët nuk i dilnin nga goja për t’ia dhënë babait lajmin se ai kishte kancer në pankreas.

“Babai im e kuptoi që ishte kancer, por nuk e kuptoi rëndësinë e gjendjes. T’i thosha se i kishin mbetur vetëm pak javë jetë ishte shkatërruese”, tha Rrahmani.

Ai tutje vazhdoi rrëfimin duke thënë se familja kishte shpresuar se babai i tij, Emini, do t’i mbijetonte kancerit, pasi kishte kaluar shumë vuajtje dhe kishte bërë më të mirën për ta mbrojtur atë dhe motrat e vëllezërit nga lufta në vitin 1998-99.

Vetëm tri javë pas diagnozës, Emini vdiq në moshën 71-vjeçare.