Covey: S’e dija rolin e Thaçit në Rambuje, s’e di as kush e themeloi UÇK-në

Covey: S’e dija rolin e Thaçit në Rambuje, s’e di as kush e themeloi UÇK-në

Aktuale October 01, 2025 - 11:18

Dëshmitari James Peter Covey gjatë dëshmisë së tij në Hagë të mërkurën tha se nuk e di se kush ishin themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe se nuk ka dijeni se cili ishte roli i Hashim Thaçit gjatë Marrëveshjes së Rambujesë dhe se në çfarë cilësie ishte ftuar.

“Nga historia e di se në përfundim të Rambujesë, ai (Thaçi) ishte caktuar si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme. Unë siç e thash isha i përfshirë në Universitet dhe nuk e di se në çfarë cilësie ishte ftuar apo cili ka qenë roli i tij gjatë diskutimeve të mbajtura në Rambuje”, tha Covey.

Covey deklaroi se e ka ditur se Thaçi ishte ai që ka nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë.

Përveç kësaj, Covey mohoi se ka dijeni se kush ishin themeluesit e UÇK-së.

“Nuk mund të them që kam dijeni”, tha dëshmitari kur u pyet se a e dinte për rolin e LPK-së për formimin e UÇK-së.

Dëshmitari tha se ka pasur dijeni për sulmin ndaj familjes Jashari. Ndërkaq, mohoi të ketë dijeni për ushtarët që iu bashkuan UÇK-së në pranverën dhe verën e vitit 1998.

Ai tha se nuk ka dëgjuar edhe për marrjen e minierës në Bardh të Madh në UÇK-ja dhe nuk e di nëse Thaçi ka qenë ndonjëherë atje.

I pyetur lidhur me “marrjen e Rahovecit nga UÇK-ja”, Covey tha se mund të ketë dëgjuar.

“Edhe mund ta kem dëgjuar, por nuk mund të jap hollësi lidhur me këtë”, u shpreh dëshmitari. /BD