
Zemaj: Nuk ka konstituim të pjesshëm të Kuvendit, vendimi i Kushtetueses është i qartë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka caktuar një afat prej 12 ditësh për konstituimin e plotë të Kuvendit të Kosovës.
Zemaj ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e pengon me qëllim këtë proces për interesa të pushtetit.
“Për fat të keq, kemi vetëm ditë të humbura. Kjo neglizhencë për moskonstituimin e Kuvendit është një qëllim politik i LVV-së, sepse nuk ka pasur mundësinë të krijojë një shumicë që do t’i mundësonte si parti e parë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re,” tha Zemaj.
Ai theksoi se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është në përputhje me qëndrimin që LDK-ja ka mbajtur që nga fillimi.
“Gjykata Kushtetuese në thelb konfirmoi atë që ne kemi thënë: nuk ka konstituim të pjesshëm të Kuvendit. Kuvendi duhet të konstituohet në tërësi, me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve qoftë nga shumica shqiptare, qoftë nga përfaqësuesit e pakicave që kanë vende të garantuara në kryesinë e Kuvendit,” deklaroi ai.
Zemaj shprehu shqetësimin për ndikimin e kësaj situate në stabilitetin institucional dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
“Është shumë e rëndësishme që të kemi një veprim politik të përgjegjshëm. Nuk duhet ta lejojmë dobësimin e Kosovës për shkak të veprimeve të VV-së apo të Albin Kurtit si kryetar i saj. Sepse Kosova është mbi të gjitha më e rëndësishme se çdo parti apo individ. Ajo duhet të mbrohet, jo të minohet nga brenda, duke i dhënë hapësirë elementeve destruktive që nuk kanë fuqi kushtetuese,” theksoi Zemaj.
Ai gjithashtu kritikoi tendencën për të përdorur pozitën e një nënkryetari si mjet për të bllokuar punën e Kuvendit.
“Pozita e një nënkryetari nuk është aq e rëndësishme sa për të ndikuar apo bllokuar punën e Kuvendit. Vendimet në Parlament merren nga shumica dhe nuk mund të ndalohen nga një qëndrim i vetëm apo nga një individ i vetëm,” tha ai.
Në fund, Zemaj theksoi se mbetet të pritet vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese, i cili pritet të sqarojë më tej rrjedhën institucionale.
“Duhet të presim vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese. Mbetet për t’u vlerësuar se çfarë do të ndodh në ditët në vijim,” përfundoi ai.