Cigaret elektronike kancerogjene, kërkohet ndërhyrje urgjente

Cigaret elektronike kancerogjene, kërkohet ndërhyrje urgjente

Aktuale September 30, 2025 - 22:25

Përdorimi i cigareve elektrike nga fëmijët dhe adoleshentët, mblodhi në një tryezë diskutimi ekspertë të shumtë mjekësorë, me synimin që t`u jepet vëmendje kryesore efekteve të dëmshme që kanë këto produkte tek të rinjtë. Ekspertë të shëndetësisë ngritën alarmin për këtë fenomen duke kërkuar ndërhyrje urgjente në nivel kombëtar.

Mjekë, prindër dhe shoqëria civile janë bashkuar në një aleancë të re për të luftuar rrezikun nga përdorimi i cigareve elektrike, apo siç njihet ndryshe ”Vape”, nga të rinjtë. Në një tryezë të organizuar nga Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim, u ngrit shqetësimi në nivel alarmant të përhapjes së këtyre produkteve pranë shkollave.

Ekspertët shëndetësorë paralajmërojnë se përmbajtja e lartë e nikotinës krijon varësi të shpejtë, sidomos tek adoleshentët që janë ende në zhvillim, me ç`rast paralajmëruan edhe për rritjen e rasteve të kancerit në mushkëri, duke bërë thirrje për më shumë edukim dhe ndërgjegjësim, sidomos te prindërit dhe tek të rinjtë.

“Janë identifikuar 200 deri në 400 komponente kimike të cilat ndikojnë në mënyra të ndryshme, fillimisht në qeliza e mandej në organe tjera dhe në mushkri”, tha pulmologu Skënder Baca.

“Duhani mund të lidhet ekskluzivisht me kancerin e mushkërive të formave të veçanta. Ne në praktiken tonë të përditshme kemi parë qytetarë që konsumojnë duhan që nga mosha 10 vjeçare dhe fitojnë kancer të mushkërive në moshë 40 vjeçare", tha Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë.

Krijimi i shërbimit për ndërprerjen e duhanpirjes si mundësi shëndetësore, mbetet një nga objektivat e Qendrës për Avokim dhe Zhvillim, të cilës do t`i dalin në ndihmë edhe mantelbardhët.

“Në çdo pikë të shitjes mund të gjinden ”Vape” dhe cigare elektronike të cilat po përdoren nga industria e nikotinës, por edhe industria e duhanit për t’i tërhequr moshat e reja duke shndërruar kështu gjenerata të tëra në gjenerata të të rinjve të varura nga nikotina”, tha Shkumbin Spahija, drejtor i KADC.

Në këtë diskutim u paraqitën disa hapa konkretë për ta luftuar këtë dukuri, si fushata ndërgjegjësimi në media dhe rrjete sociale, monitorimi i shitjes së cigareve elektrike pranë shkollave, avokimi i drejtpërdrejtë në institucione, si dhe forcimi i legjislacionit ekzistues për të siguruar zbatim të rreptë./rtk