Basha nderon Shpëtim Robajn në përvjetorin e 27-të të rënies së tij

Basha nderon Shpëtim Robajn në përvjetorin e 27-të të rënies së tij

Aktuale September 30, 2025 - 20:46

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, bashkë me Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, deputeten Albena Reshitaj, dhe drejtues të institucioneve shëndetësore, nderoi dhe përkujtoi Dr. Shpëtim Robajn në përvjetorin e 27-të të vrasjes së tij.

Në fjalimin e tij, Basha e përshkroi Dr. Robajn si mjekun e plagëve të lirisë, i cili jetën ia kushtoi shërimit të të plagosurve dhe mbrojtjes së jetës së pacientëve.

Ai kujtoi kontributin e Dr. Robajt gjatë pranverës së vitit 1998, kur ishte pjesë e ekipeve mjekësore vullnetare pranë spitalit të luftës në Likoc, ku shëroi plagë të civilëve dhe ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë edhe Komandantin Mujë Krasniqi.

Basha gjithashtu theksoi bashkëpunimin e Dr. Robajt me organizata ndërkombëtare si Kryqi i Kuq dhe Mjekët pa Kufij, si dhe heroizmin e tij më 30 shtator 1998, kur humbi jetën duke ndihmuar të mbijetuarit e masakrës në Abri të Epërme.

“Më 30 shtator 1998, teksa shkonte për të ndihmuar të mbijetuarit e masakrës në Abri të Epërme, ku më 26 shtator forcat serbe kishin masakruar 34 civilë shqiptarë, doktori hero ra në territor të minuar. Aty Shpëtimi edhe e humbi jetën, por e fitoi pavdekësinë dhe kujtimin e përjetshëm e nderimin e përhershëm të popullit tone”, shkruan Basha në facebook.

Ai përfundoi duke theksuar se kujtimi dhe vepra e Dr. Robajt mbeten frymëzim për gjeneratat e ardhshme të mjekëve dhe qytetarëve.