Mbyllja e kufirit mes Shqipërisë e Kosovës ndau 5-vjeçaren nga nëna e saj, historia e takimit pas 42 vitesh

Mbyllja e kufirit mes Shqipërisë e Kosovës ndau 5-vjeçaren nga nëna e saj, historia e takimit pas 42 vitesh

Aktuale September 30, 2025 - 17:22

Mbyllja e kufirit midis Shqipërisë dhe Kosovës në vitin 1948, atëherë pjesë e Federatës Jugosllave, solli ndarjen tragjike të mijëra familjeve shqiptare që jetonin përgjatë vijës kufitare.

Një nga historitë më prekëse të kësaj periudhe është ajo e Hanife Myzyrajt, e cila sot është 82-vjeçare, e lindur në fshatin Demjan të Hasit në Kosovë dhe e martuar në fshatin Dobrunë të Shqipërisë.

Në qershor të vitit 1948, në moshën pesëvjeçare, Hanifja shkoi së bashku me gjyshin e saj, Adem Sokolin, për vizitë te dajallarët në fshatin Vlahën të Shqipërisë. Ishin pjekur qershitë dhe ajo si çdo fëmijë ndjente mall për të qëndruar të dajallarët. Pas dhjetë ditës qëndrimi kufiri u mbyll dhe Hanifja mbeti në Shqipëri. Ndërsa prindërit nëna Fata dhe babai Rexhepi mbetën në Kosovë.

”Pas dhjetë ditësh më thanë: ‘Po mbyllet kufini, a do me dal? Unë thashë: ‘Jo. Pse, me çka e mshelin, a ka gardh, a ka mur, kur të më merr malli, shkoj.’ – ‘Po nuk mundesh, ka tela, ka gjemba, ka roje.’ Unë thashë: ‘Jo, du me nejt, don me nejt rri dhe u mbyll kufini”, rrëfen Hanifja për Radio Kosovën, me një ton që përzien pafajësinë fëmijërore me dhimbjen e pashlyer të ndarjes.

Hanifja u rrit në Shqipëri, kreu katër vite të shkollës fillore dhe më vonë u martua në fshatin Dobrunë, rrethi i Kukësit, vetëm pak kilometra nga fshati i saj i lindjes.

Pas 42 vjetësh ndarje, në vitin 1990, kur u mor vendim për lehtësim të kalimit të kufirit Hanifja mori leje për ta vizituar Kosovën dhe për t’u takuar me nënën e saj. Takimi ndodhi në pikën kufitare të Qafë-Morinës dhe konsiderohet një nga momentet më të forta emocionale të jetës së saj.

”Pas 42 vjete e pashë nanën, u takum, janë te kufini krejt, nana, motrat, vëllezërit, kojshitë, krejt mahalla Shehi… rreth tridhjetë makina dhe mbi 200 vetë, si dasmë…U përqafuam me nanën , ajo kajke e unë jo u mpina…nuk e njifsha nanën, me thoshin kjo o nana jote po unë deri mas tri dite nuk kam nejt me të, e mas tri dite nisa me dasht, m’u josh”, rrëfen Hanife Myzyri.

Janë mijëra histori si kjo e Hanife Myzyrajt, të pathëna dhe të harruara në rrjedhën e viteve. Shumë prej tyre mbajnë mbi supe një barrë të rëndë që nuk arritën kurrë të takoheshin më të afërmit e tyre.

Rrëfimi i Hanifes mbetet një kujtesë e fuqishme e çmimit që kanë paguar familjet shqiptare për shkak të politikave që shkatërruan lidhjet njerëzore në emër të kufijve artificialë.