Kurti s'e mban premtimin, nuk shkarkoi ministrat e zyrtarët me aktakuza
Foto: Laura Hasani

Kurti s'e mban premtimin, nuk shkarkoi ministrat e zyrtarët me aktakuza

Aktuale September 29, 2025 - 19:20

“Jo, nuk do të kemi ministra me aktakuza…”, kishte thënë Albin Kurti më 04.02.2021 për Kallxo. com.

4 vite pas kësaj deklarate, udhëheqësi i qeverisë tashmë në detyrë, duket se e ka harruar këtë premtim.

Kjo meqë, në zyrat e Ministrive e në funksione publike vazhdojnë të qëndrojnë persona që tashmë akuzohen për korrupsion.

Në korrik të këtij viti, Prokuroria Speciale e Kosovës, ngriti aktakuzë ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimin Rajonal, Fikrim Damka nën dyshimet se kishte financuar dy organizata joqeveritare pa organizuar thirrje publike dhe duke tejkaluar limitet ligjore të financimit.

Bashkë me Damkën, i akuzuar është edhe Besim Kamberaj, por për të Qeveria kishte vendosur ndryshe, duke e pezulluar nga puna pas ngritjes së aktakuzës.

Ministri Damka ka edhe një tjetër aktakuzë tjetër, për sulm dhe kanosje ndaj një kandidateje për deputete nga një parti turke, ngjarje e ndodhur ditën e zgjedhjeve parlamentare.

Megjithatë, ai vazhdon të ushtrojë detyrën e tij në ministri, por edhe si deputet i Kuvendit të Kosovës.

Në gjykatë tashmë është duke u përballur edhe Nagip Krasniqi, ish-Kryeshef i Korporatës Energjetike të Kosovës. Dikur pjesë e VV-së në Komitetin për Energji, PSRK-ja ka ngritur dy aktakuza ndaj tij që lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare në disa tenderë.

Me akuzat për korrupsion sa ishte nënkryetar i Mitrovicës së Jugut, tashmë do të përballet edhe ish-kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

Faruk Mujka, i cili aktualisht është kryeshef i Iber Lepencit, së bashku me ish-drejtorin komunal të Mitrovicës, Hysen Muzliukaj, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare meqë në mënyrë të kundërligjshme kishin privatizuar objektin e ish-Bibliotekës në Mitrovicë.

Mujka nga PSRK-ja akuzohet edhe për mosdeklarimin e rreth 60 mijë eurove që iu gjetën në shtëpinë e tij gjatë bastisjes.

Ndonëse ende nuk ka marr vulën e organit të akuzës, por ende nën hetim, është ministrja e Industrisë Rozeta Hajdari, e cila u intervistua në cilësinë e të pandehurës në lidhje me rezervat shtetërore.

Për këtë çështje u ftua të dëshmojë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, por i njëjti refuzon të paraqitet, pavarësisht thirrjeve e gjobave të shqiptuara.

I dyshuar për tri vepra të ndryshme penale si “Shpëlarja e parave”, “Shmangia nga tatimi” dhe “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë është edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci Martin Berishaj.

Si i pandehur është intervistuar edhe tashmë ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, për projektin e zgjerimit të rrugës nacionale Prishtinë – Pejë.

Në prokurori ishte paraqitur edhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, e koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali. Dëshmitë e tyre lidheshin me çështjen e ish kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Me aktakuza por në kohën sa ishin deputetë të opozitës për gjuajtje të gazit lotsjellës janë edhe Xhelal Sveçla, Albulena Haxhiu dhe Arbërie Nagavci, procese të cilat nuk kanë marr aktgjykimin final./dukagjini