
Nimani: Kurti dhe Osmani po tentojnë ta kthejnë në agjendë elektorale vizitën në SHBA
Artan Nimani nga NismaSocialdemokrate ka vlerësuar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti po përpiqen ta kapitalizojnë dhe kthejnë në agjendë elektorale vizitën e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nimani është shprehur se takimet e të dy krerëve të shtetit në SHBA ishin takime rastësore, të zhvilluara në salla, koridore e hotele me miq dhe të njohur.
“Nuk dua të kritikoj raportet me SHBA-të, sepse vetëm shkuarja atje dhe qëndrimi pranë miqve dhe partnerëve tanë në këto kohë është shumë domethënës. Por jemi në kohë fushate elektorale, dhe unë mendoj se që të dy po tentojnë ta kapitalizojnë këtë vizitë dhe ta kthejnë në një agjendë elektorale. Kjo nuk është diçka e jashtëzakonshme, sepse në fund të fundit me rëndësi është që ndodhen atje. Megjithatë, nëse i analizojmë me kujdes takimet që kanë zhvilluar, përveç fotografisë së presidentes me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të tjerat ishin të gjitha takime mes miqsh, shokësh, ftesa në konsullata, apo takime të rastit në korridore, hotele e salla. Pra, nuk kishte ndonjë takim përmbajtësor siç jemi mësuar të shohim në vizitat e mëhershme të krerëve të Kosovës në SHBA”, ka thënë Nimani./teve1