KQZ-ja emëron mbi 15 mijë anëtarë të këshillave të vendvotimeve
Foto: Laura Hasani /Arkiv

KQZ-ja emëron mbi 15 mijë anëtarë të këshillave të vendvotimeve

Aktuale September 29, 2025 - 15:39

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim për emërimin e anëtarëve të këshillave të vendvotimeve të rregullta, atyre me kusht dhe anëtarëve rezervë për zgjedhjet lokale, të cilët do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve, më 12 tetor 2025.

Udhëheqësi i Këshillit për Operacione Zgjedhore, Arianit Elshani, ka deklaruar se “janë vetëm 3 komuna që përbëhen me nga 6 anëtarë, ndërsa komunat e tjera përbëhen me nga 5 anëtarë”.

Kundër këtij vendimi u shprehën dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje. Anëtari Alban Krasniqi tha se ata mbesin kundër në çdo rast ku është e përfshirë Lista Serbe.

“Ne që nga fillimi kemi qenë kundër. Na bënë të pamundur për me vendos për votimin e një liste të tillë. Bazuar në argumentet që kemi ngritur dhe vazhdojmë që të qëndrojmë”, u shpreh ai.

Sipas vendimit të KQZ-së, emërohen 14,305, anëtarë të 2,571 vendvotimeve të rregullta dhe 54 vendvotimeve me kusht, ndërkaq 1,200 anëtarë të tjerë do të jenë rezervë.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Këshilli i Vendvotim është përgjegjës për sigurimin e integritetit, sigurisë dhe të qetësisë në procesin e votimit dhe numërimit në vendvotim nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve.

Procesi zgjedhor në Republikën e Kosovës, do të organizohet në 948 Qendra të Votimit me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 qendra të votimit për votimin e rregullt me 2,571 vendvotime dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht me gjithsej 54 vendvotime.

Në pikën e fundit të rendit të ditës, KQZ-ja mori vendim për miratimin e procedurës standarde të veprimit në lidhje me të drejtat dhe detyrat e vëzhguesve të akredituar në Zgjedhjet Lokale 2025.

Qëllimi i kësaj procedure është përcaktimi i rregullave të sjelljes, të drejtave dhe detyrimeve të vëzhguesve të akredituar nga KQZ, në procesin e vëzhgimit të zgjedhjeve në Qendrat e Votimit, Vendvotime, Qendra Komunale të Numërimit, Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe në hapësirat tjera që ndërlidhen me aktivitetet zgjedhore. Kjo procedurë do t’u dërgohet të gjitha organizatave vëzhguese të akredituara nga KQZ-ja. /EO