
Bislimi pret ambasadorin slloven, e njofton për destruktivitetin serb
Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj.
Zëvendëskryeministri e uroi fillimisht ambasadorin për pozitën e re, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi do të vazhdojë.
“Në vijim diskutuan rreth procesit të integrimit evropian të Kosovës. Zëvendëskryeministri e falënderoi shtetin e Sllovenisë për partneritetin dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në këtë rrugëtim, gjersa shprehu se vendi ynë vazhdon të ketë objektiv kryesor dhe të synojë marrjen e statusit të vendit kandidat”, thuhet në komunikatën për media.
Zëvendëskryeministri e informoi ambasadorin Blaj edhe mbi procesin e dialogut.
“Në takimin e fundit të nivelit të kryenegociatorëve të zhvilluar në Bruksel më herët gjatë muajit, ku përsëri u pa qartazi destruktiviteti i Serbisë në proces, tërheqja e saj nga Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Ohrit dhe bllokimi i formimit të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur me dhunë”, vazhdon komunikata.